Agron Gjonmarkaj: Qeveri e lagur, Shqipëri e përmbytur!

Prej dy ditësh, mbi vendin tonë duhia e motit s’ka të ndalur. Pamjet anekënd Shqipërisë janë të trishta! Fuqia e ujit dhe ambicia e tij për të mbuluar territorin e vendit të shpie në kohet e zanafillës kur krijimi i rruzullimit ndodhte mes të tillash pështjellime. Arka e Noas duket më shumë realitet sesa mitologji, teksa shesh shtëpitë që zhyten gjithnjë e më shumë mes vorbullës. Hyu, natyra dhe papërgjeshmëria ndër vite po e vënë nën tehun e provës së rëndë njeriun e gjorë. Në krye të herës duhet thënë se qysh ditën kur menduam se jemi të lirë, filluam ta përdorim lirinë me duf dhe egërsi bishash kundër shtratit të lumenjve, pyjeve, kanaleve, duke prishur ekuilibrin e gjithhershëm mes tokës, ujit dhe ajrit, i cili për sa kohë banori nuk grishej nga egoja e shëmtisë apo e dhunimit, i siguronte paqe edhe atij! Sinoret e marrisë nuk kanë të ndalur në turravrapin e zaptimit, aqsa u ndërtua pa asnjë kriter brigjeve të lumenjve dhe fushave në sy të ciklonit. Për një grusht vota u lejuan matrapazët të gërryejnë shtratin e lumenjve!

Për një grusht vota u lejuan vrasësit e lisave, pishave, shkozave e qarrave t’i prisnin ato duke i shndërruar malet, monopatet, zabelet dhe kreshtat në tullace, si koka ushtarësh. U duhej një grusht vota kudo, në Veri dhe në Jug, në Lindje dhe Perëndim, për të marrë pushtetin, për të sunduar dhe sidomos për t’u pasuruar. Fëmijët e tyre, falë Zotit, nuk janë në rrezik! Fëmijët e tyre, falë Zotit dhe prindërve, apokalipsin dhe dramën e bashkëmoshatarëve të tyre nën ujë apo tek mbledhin krom rrëpirave të Bulqizës e shohin nga ekrani, deri sa, të bezdisur, ndërrojnë stacion në kërkim të një filmi.

Për një grusht vota gjithçka tolerohej. Për një grusht vota jeta dhe katandia e këtyre njerëzve vit pas viti është në rrezik.

Gjatë një 27 viteve qeveritë tona lejuan pa dallim ideologjik vdekjen ekologjike të asaj toke ku u ka rënur koka dhe në mënyrë abuzive e thërrasin atdhe. Atdheu për ta është një lopë që e mjelin me radhë! Ndaj retorika politike këto ditë ka ngjyrën e një kërme dhe profumin e saj. Akuzat janë të njëjtat ndër vite.

Kur mbytej Shkodra, vite më parë, Opozita e majtë gjuante poshtë brezit, bënte spektakël me dhimbjen dhe fatkeqësinë. Sot ajo është në Qeveri. Rrota lëvizi e ia behu radha e saj për të pësuar goditjet në vendin delikat Veçse, duhet theksuar një gjë që të ngatërron zorrët në bark. Aftësia e kësaj maxhorance për të bërë propagandë. Në buzë të kraterit të kësaj zezone, Kryeministri dhe ministrat kujdesen maksimalisht të kurojnë imazhin para kamerave. Një dhunti tronditëse kjo, kur pulsi rreh gjetkë. Të shpërndarë andej-këndej “llërë përveshur”, zgjedhin fjalët, qerojnë zërin, rrisin tonalitetin e retorikës, tendosin muskujt e fytyrës për të na vikatur një gjë më të rëndësishme se vetë ekzistenca, atë se “shteti është pranë jush”! Më pranë rezulton fati apo kuraja personale e gjithsecilit, sesa dërdëllitjet e pushtetit! Kësaj here, Edi Rama nuk iku në Majemi. Nuk duhet të na mungojë kuraja për ta falënderuar. Ai ndenji këtu mes nesh. Ai nga televizioni na mban me gajret deri sa të pushojë shiu. Pastaj do të na qerasë me një kolazh barsaletash, batutash, qyfyresh e hokash për të na kthyer buzëqeshjen e trumhasur nga rrebeshi dhe vërshimi i lumenjve. Mbetet enigmë në ka reflektuar për mbylljen që u bëri kanaleve ndanë autostradës Tiranë-Durrës. Dystimi i tyre e zbukurimi me palma, të cilat po i grin sosja herë nga ngrica e herë nga uji, përmbyti për herë të dytë këtë arterie kryesore të komunikimit urban, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në makina, individëve, por edhe bizneseve ndanë saj.

Sigurisht do të ishte e pandershme që për llakerdinë e gati tri epokave të fajësojmë Edi Ramën e po kaq për teprinë e kësaj moqave, e cila derdh kazana e rreke ngado, por trajtimi i fatkeqësisë si mundësi për të bërë politikë mbetet i shpifur.

Ministrat me supe të lagura e pa çadër japin dendur intervista ku demonstrojnë sakrificën e tyre vetëmohuese, teksa historia përsëritet. Kjo maxhorancë po hyn në vitin e pestë të qeverisjes dhe duhet ta kishte mësuar tashmë se dimri vjen vetë kësaj anë. Atë nuk e ngah opozita si kalë shale.

Veç në paskësh qenë surprizë politike e rilindjes shndërrimi i Shqipërisë në Venecia, atëherë po që nuk na mbetet tjetër veçse ta admirojmë këtë pamje ku gomonet lundrojnë rrugicave e korsive. Rama nuk na i kursen fotot e heroizmit në kërkim të personazhit pozitiv të socrealizmit. Ai na flet për virtytet virtuale të ekipit të tij. Qytetarët duhet të përzhiten për pikëllimin e tyre më shumë se për dramën e vet. Kamerat po bëjnë maksimumin që ta paraqesin gjithçka si dramë sentimentale të qeverisë! Nuk është hera e parë!

Mbetet për t’u parë se sa do t’i dëmshpërblejë zonat nën katastrofë natyrore! Vjen në qender të debatit pyetja a do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme apo do të mjaftohemi me këshillat e Erjon Velisë se si të mposhtim panikun, si të ndihmojmë njëri-tjetrin, kur të hapim e mbyllim çadrën, të ecim apo jo me nxitim, të pimë kamomil apo çaj mali, si të ngjatetojmë komshinë, ta mbajnë apo ta bëjmë sh….në lumë e plot këshilla të vyera kësodore që darovisin të mirën dhe demoralizojnë të keqen. Çudi si nuk i buzëqesh qiellit e ta bëjë atë që të na risjellë diellin! Magjia e njeriu të mirë s’ka kufij.

Nëse llogaritet koha televizive, më shumë kanë në dispozicion vezirat tanë, sesa njerëzit, të cilëve u sillet koka vranull nga sytë e lemerisur të fëmijëve nën panik. Përtej “heroizmit të qeverisë në shekuj”, Ushtria meriton mirënjohje, pse jo edhe zonja Xhaçka, qe ende e pastërvitur me aktrimin qeveritar, duket se është sintonizuar me përpjekjet e njerëzve që drejton apo më shumë me ata që kanë nevojë për ta.

Çdo gjë tjetër ngjan një skenar i njohur me të gjitha pikat e larta e të ulëta të kurbës së tij. Fajin e ka gjithmonë shiu. Ai është një delenxhi që i duhet zbutur shpina dhe t’i bëhet më e butë se barku. Ndo Zot nuk nervozohen Damjan Gjiknuri dhe Niko Peleshi e ta rrahin me zinxhirë si Mbreti Kserksi detin. Problemi ynë është qeveria e lagur. Për sa kohë ajo të ketë mushkëritë me ftomë a ndonjë gjë më poshtë, Shqipëria përmbytet e ne do të dëgjojmë vetëm krisma zorrësh! Gjithsesi në këto rrethana Qeveria duhet mbështetur nga të gjithë. Jeta e njerëzve mbi gjithçka. Në shpëtimin e tyre ne duhet të jemi të gjithë bashkë.