Agravohet situata politike-Opozita drejt aktit ekstrem, Berisha-Kryemadhi flasin për djegie mandatesh

Për ish-kryeministrin Sali Berisha, situata e krijuar në Parlament po e çon institucionin drejt degradimit.

Të njëjtin mendim me të duket se ndan edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputetët e të cilës paraqitën 40 pyetje për ministren Mirel Kumbaro lidhur me pr/ligji për teatrin por që kjo e fundit refuzoi t’i përgjigjej.

Fakti që gjendja e parlamentarizmit nuk është optimale, me ato që opozita i cilëson si seanca fasadë të mazhorancës, duket se ka detyruar Kryemadhin dhe Berishën të rikthenin në diskutim mes tyre edhe njëherë çështjen e djegies së mandateve.

Ata janë fotografuar së bashku jashtë ambienteve të Kuvendit dhe mësohet se kanë diskutuar për ndërmarrjen e këtij akti ekstrem që do ta linte vendin pa opozitë zyrtare.

BISEDA BERISHA-KRYEMADHI:

Berisha: Unë i kërkova fjalën dhe ata s’ma dhanë. Nuk ka kuptim qëndrimi ynë.

Kryemadhi: Po drejt djegies së mandateve po shkojmë…

Berisha: Po, po, drejt asaj rruge po shkojmë.

Me debate ka nisur edhe seanca e sotme parlamentare, ku opozita  kundërshton projektligjin, i cili ka të bëjë me nisjen e negociatave për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar.

Pas fjalës së ministres Kumbaro në foltoren e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar Edmond Spaho ka kërkuar fjalën nga vendi, nga ku edhe ka kërkuar praninë e kryeministrit në Kuvend.

Më tej, fjalën e ka marrë kryetari Basha, i cili ka kërkuar seriozitet dhe përgjigje të pyetjeve që opozita ka ngritur mbi çështjen e Teatrit.

Basha: Ne nuk kemi bërë pyetje sepse është e kotë por LSI insiton. Mos u zgërdhini o hajdutër. Që mos t’i përgjigjeni as pyetjeve të Opozitës ç’kuptim ka? Ç’a kujtoni se jeni ju more? Po i vini flakën parlamentit. Në krevat me krimin, nqs s’ka këllqe ajo lë të vijë ai, ideatori që të japi llogari. Keni marrë pyetje, përgjigjuni pyetjeve. Mos vazhdoni procedurë fasadë se do të trajtoheni edhe ju si fasadë kriminale mos u zgërdhini hajdutër.

Pas Bashës, i menjëhershëm ka qenë replikimi i kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi zbatimin e byrosë.

Balla: Spaho dhe Basha përdorin një gjuhë të papranueshme. Ju mirëkuptoj, se jeni të fashitur. Por këta persona të papërgjegjshëm, i kërkoj byrosë së Kuvendit që të marri masë ndëshkimore për gjuhë të papranueshme në Kuvend. Nëse opozita ka ardhur për të marrë pyetje, përgjigjet i kanë marrë në Komisionet parlamentare.

Basha: Ju i bëni hajdutët ministra dhe kërkoni t’i mbyllni gojën opozitës. Ku ju çon mendja more fatkeq? Mendoni që do ta mbyllni gojën me një palo kod etike. Kod etike është mos vidh, mos bashkëpuno me krimin, mos mbroni kriminielët.