Agjencia prestigjoze britanike e lajmeve, BBC udhëton në Shkodër: Fëmijët në kurthin e gjakmarrjes

Agjencia prestigjoze britanike e lajmeve BBC i ka dedikuar një artikull fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri dhe impaktit negativ të tij tek fëmijët. “Thuhet se hakmarrja është një pjatë që më mirë të serviret e ftohtë, por në Shqipëri serviret më e ftohtë nga sa mund ta mendoni,” shkruan BBC. Çështjet e gjakmarrjes prekin breza të tërë në Shqipëri, duke i vështirësuar jetën edhe trashëgimtarëve, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me vrasjet e të paraardhësve të tyre.

Artikulli i plote i BBC

Edhe pse kanë një histori të gjatë, çështjet e gjakmarrjes mbeten të nxehta edhe sot, me 69 familje nga Shkodra, që e kanë të pamundur të dalin nga pragu i shtëpisë. Ne vizituam Nikon, një djalë 13-vjeçar, në fshatin e tij të vogël në veri të Shqipërisë. Thuhet se Niko është në gjak me familje tjetër, dhe jeton nën kërcënimin e vdekjes për ato që supozohen të jenë krime të bëra para se ai të lindte.

Niko jeton me gjyshërit e tij të moshuar dhe është në rrezik sa herë del nga shtëpia. Dhjetëra familje të tjera nga rajoni i Shkodrës, jetojnë të “vetë-arrestuar” në shtëpitë e tyre.

Na u desh të ecnim me makinë dhe më varkë me mësuesen e tij Liljana Luani për të vizituar Nikon në komunitetin e tij të izoluar. Zonja Luani është e specializuar për mësimin e fëmijëve të ngujuar në shtëpitë e tyre. Gjakmarrja nuk i lë fëmijët as të shkojnë në shkollë.

Çështjet e gjakmarrjes kanë qënë më parë të shkruara në një libër ligjesh, të quajtur Kanuni, që daton në shekullin e 15. Kanuni në atë kohë vendosi rregullin në fiset e veriut të Shqipërisë.

Por zonja Luani thotë se rregullat e Kanunit shpesh janë shkelur nga ata të përfshirë në gjakmarrje. “Nëse do ndiqnin rregullat e Kanunit, ata nuk do t’i vrisnin gratë dhe fëmijët. Por ditët e sotme, ata nuk ndjekin as rregullat e Kanunit dhe as ligjet e shtetit,” thotë mësuesja shqiptare.

Gjakmarrja në familjen e Nikos filloi menjëherë pas krizës së thellë ekonomike në Shqipëri me rënien e skemave piramidale. Familja e tij është në gjak me një tjetër familje pranë fshatit të tij. Një anëtar i familjes së Nikos vrau fqinjin e tij. Kjo çoi në vrasje të tjera, që tashmë e bëjnë Nikon të jetojë me frikë.

Mësuesja Luani tha për BBC se Niko nuk ka shumë njohuri për gjakmarrjen pasi është i vogël. “Ai dëgjon njerëzit e tjerë që flasin për këtë çështje. Dhe çdo gjë që ai bën është të qëndrojë në heshtje. Por atë e nervozon fakti që i duhet të qëndrojë i ngujuar,” thotë ajo.

Kolonel Gjovalin Loka, shef policie në rajonin e Shkodrës, tha se ai po  bën gjithçka për të parandaluar fenomenin e gjakmarrjes. Gjithashtu thuhet se reforma e re e drejtësisë e ndërmarrë nga shteti, mund t’ia dalë të fshijë një herë e përgjithmonë këtë fenomen nga jeta shqiptare.