Age Mirash Ndoja: Si i mbijetuam urisë, tifos e dizanterisë në kampin e Tepelenës

“Pal, nuk po të sheh ma nëna”, ishte fjala e fundit që tha Rina Mirakaj, kur u nda nga jeta. Iku nga kjo botë me brengën e madhe se kurrë nuk e pa më të birin Palin, i cili u arratis me të atin kur ishte vetëm 12 vjeç.

Kur Mirash Mirakaj u arratis drejt Jugosllavisë, për t’i shpëtuar pushkatimit nga xhelatët komunistë, ai mori me vete djalin e tij Palin, por la pas të shoqen Rinën me dy vajzat e saj, Agen edhe Pashkën, por edhe të ëmën e plakur, Loren. E gjithë egërsia e regjimit komunist, zemërimi për arratisjen e Mirashit do të lëshohej mbi familjen e tij të mbetur në Shqipëri. Age Mirash Ndoja ishte vetëm 7 vjeç kur e pa për herë të parë kampin e Tepelenës. Atje kaloi fëmijërinë e saj, ku bashkë me të motrën, Pashkën, dy vite më të madhe, i mbijetuan tifos, dizanterisë, urisë e shpërthimit të minave. E ka rrëfyer kalvarin e jetës së saj, në një intervistë dhënë për Kristale Ivezaj Rama, në librin Kampi i Tepelenës. Age Mirash Ndoja rrëfen detaje të dhimbshme të udhëtimit të vështirë të jetës së saj nga burgu i Shkodrës, në kampin e Tepelenës e më pas, në atë të Lushnjes.

Rrëfim i një fëmijë, që i mbijetoi tifos, dizanterisë, urisë dhe bombave që shpërthenin në kampin e Tepelenës

Unë jam e datëlindjes 1940. Isha 7 vjeç. Vëllain, Palin, më i madh se unë, nuk e mbaj mend mirë; ka shkuar me babën, e mori ai me vete. Pali ishte 12 vjeç… Baba kishte dy vëllezër: njëri quhej Dedë dhe tjetri Gjelosh. Tre vëllezër qenë. Gjeloshin, shpejt, e mori me vete, kurse Deda ishte në Shkodër dhe nuk kishte kohë ta priste. Me nxitim, baba i çoi njoftim nanës: Po largohem se po më kapin. Po marr Gjeloshin, pra, vëllain, dy vajzat e mëdhaja, dhe djalin, që ishte 12 vjeç. Nëse vjen policia mos më tradhëto!

Kanë shkuar maleve në këmbë, se nuk ka pas rrugë makine atëherë. Por dhe të kishte, po të shkonin rrugës, i kapnin. Dhe kanë mbërritur në Jugosllavi. Axhën që ishte në Shkodër, baba u përpoq ta lajmëronte. Ka pas gjetur një shok të vetin, e ka paguar dhe i ka thënë t’i dalë përpara t’i dëftojë vëllait kur të kthehet prej Shkodrës, çfarë kishte ndodhur dhe që ishte rrezik ta kapnin dhe axhën, prandaj duhej të largohej dhe ai. Mirëpo ai shoku, i mori lekët dhe nuk e kreu punën. Ne e kemi patur repartin ushtarak shumë afër shtëpisë. Axha nuk dinte gjë dhe u kthye. Mu te reparti e ndaluan. E lidhën dhe e mbajtën atje. Ai ka vuajtur nëpër burgje, s’di sa vjet. Nja 13 vjet ka ndejtë. Nuk mbeti asnjë që t’i shkonte ta shihte, se, pa u bërë java, si ikën ata, neve na internuan.

Arrestimi i grave

Në mbrëmje, kanë ardhur e na kanë marrë. Kemi fjetur në postën e policisë, se e kishim edhe postën e policisë afër. Të nesërmen, na nisën për në postë të rrethit. Na lanë tri javë në kodër të Shën Gjergjit. Kam qenë 7 vjeç. Kam pas qenë me nënën, gjyshen, nusen e axhës Gjelosh, me motrën, Pashkën. Nëna e babës quhej Lorja. Veç atë martesë ka pas dhe ka lënë dy vajza të vogla: Tinën dhe Prenën. I ka marrë krejt gjyshja. Bashkë kemi qenë. Prej Thethit, na kanë çuar në Shkodër. Tri javë ndenjëm atje në burg.

Internimi në Tepelenë

Ne si familje, gra e fëmijë, po kishte edhe të tjera. Në Shkodër, në burg, ishte shumë rëndë, nuk kishim as ujë, asgjë. Edhe kur na çonin për të mbushur ujë tek çezma, nuk dallonim as rrugën nga duhej të shkonim. Pastaj erdhi një kamion, e mbushën plot dhe na nisën për në Tepelenë: atje ishte kampi. 6 kazerma të mbushura plot me njerëz të internuar. Kishte plot të tjerë edhe para nesh. Na lanë të flinim drejt e përtokë, tri muaj veç përtokë. Më pas, na futën në një kazermë. 800 vetë një kazermë. Ku merrej vesh aty. Flinim në krevate për ushtarë, me kate njëri lart e tjetri poshtë. Fëmijët mezi hypnin. E binin përtokë prej aty. Kemi ndenjur aty 5 vjet. 5 vjet në Tepelenë. Gratë i mblodhën t’u bënin gjyq. Keni dashur dhe ju të ikni, u thonin. U keni dhënë bukë për të ngrënë. Po ç’bukë, ata ishin në Jugosllavi. E kanë munduar nënën, edhe nusen e axhës, Dilen.

Nëna Rinën e kanë shti në punë. Shkonin për të mbajtur dru rrethuar me policë. Të gjithë punëtorët që ishin pak të fortë, atje i çonin të tërë bashkë. Mbanin dru dhe i ulnin tek rruga.

Fëmijëria në kamp

Nuk mbaj mend shumë. Bukë 500 gr, me miza, me kryma. Fiknim dritat kur uleshim për bukë. Nëna na lutej, hajt more, hani. Na kujtonte se baba kur u detyrua të ikte, kishte thënë, a është më mirë me shku baba në burg apo me ik? E Pashka i kishte thënë, jo, më mirë me shpëtu. Tash, kur na jepte për të ngrënë, nënës i binin lotë, se nuk kishte çfarë të na jepte. Na jepnin me racion gjithçka, ishin 9 kazanë, aty zienim për të ngrënë grurë bollgur.

Më kujtohet nusja e axhës e kishte vajzën e vogël, 3 vjeç. Nuk kishim as zjarr, as shihnim dritë kund. E shkreta, shkonte të lante teshat e vajzës, po nuk kishte me se ta ndërronte se s’kishte tesha të tjera. I shtronte për t’i tharë aty ku flinte. Atëherë edhe u sëmur keq. Kemi ndenjur 5 vjet në Tepelenë, më pas na çuan në Lushnje. Kur erdhën të na merrnin, kanë qarë të gjithë. Thonim: Po na çojnë edhe më zi, boll zi ishim. Na transferonin sipas rretheve. Ishin makinat nga rrethe të ndryshme.

Vazhdon internimi në Lushnje

Na çuan në Lushnjë, në bujqësi. Një oficer, kurrë nuk e harroj, tha, pse qani, pse mërziteni, më mirë keni për të qenë. Lum kush ka shpëtuar! Vdisnin nga dhjetë, mu në mesditë. I kishte kapur sëmundja, dizanteria. Fëmijës nga goja i dilte gjak. Ai tha, lum kush shpëtoi, se tani më mirë, po shkoni në Lushnje. Ne nuk e besonim. U bënë nja 7 a 8 makina me rrethin e Shkodrës. Të gjithë nga Shkodra, Tropoja e Kukësi. U mbushën 8 makina me shkodranë. Shkuam në Lushnje. S’dinim ku po na çonin. Po mirë, boll mirë ishim. Na çuan në do shtëpira, në fermë. I kishin caktuar ata, sipas rretheve. Kur mbërritëm edhe ne, na caktuan një shtëpi e kemi shkuar atje. Atëherë kemi ndenjur edhe 3 muaj prapë aty. Edhe në Lushnje ishim me apel të mos ikte kush. Dy herë në ditë. Në mbrëmje sërish duhej të paraqiteshin të gjithë. Domethënë, si ishte rregulli i paraqitjes për kontroll, në ç’orë? Në orën 7 të mëngjesit ende pa shkuar në punë. Edhe në mbrëmje, pa u errur. Aty prapë ushqimin e kishim me kazan. Tri muaj me kazan si ushtri. Pas 3 muajsh, na thanë të punonim si të lirë, punë në bujqësi, në fermë. Në Lushnje mbërrita 12 vjeçe. Dhe, besa, kur na kanë thënë duhet me punu të lirë, nuk mundesha ta ngrija bishtin e shatit dhe lopatës për të bërë kanale. Këto ishin punët më të vështira. Ne kishim ardhur fukara, pa gjë prej Tepelenës. Nuk kishim as çizme. Në kanal duheshin çizme. Më kapeshin ushujëzat nga këmbët dhe pinin gjak. Me lekët e para që morëm, blemë çizme dhe bukë.

Gjyq fëmijëve

Nana e nusja e axhës i janë nënshtruar gjykimit; ata i kanë munduar, po neve nuk na kanë kallëzuar gjë. Nuk dimë çfarë u kanë bërë atje. Ne ishim fëmijë. Edhe neve, na kanë çuar për të na gjykuar, aty në Lushnje. Atje ishin ca burra të ashpër. Thoshin, tregoni të drejtën që e keni parë babën atje. U ka çuar nëna ta shikoni.

Baba ishte kthyer, po ishte vonë. Pati ardhë me do shokë me na marrë, por kanë rënë në përpjekje me ushtrinë. Në kufi ka qenë reparti ushtarak. Mirashi nuk ka dashur kurrë me na lënë. Ai nuk u martua më, kurrë. Ai donte ta merrte gruan edhe vajzat kur mësoi se na liruan prej Tepelenës dhe na çuan në Lushnje. U nis me disa vetë, por nuk mundi. Vëllai tjetër që mbeti në Shqipëri, axhë Deda, ka vuajtur shumë në burgje. Është dënuar dy herë nga 8 vjet. 14 vjet i ka bërë

Burg, në disa burgje: Tiranë, Shkodër, Lezhë. Ka bërë burg shumë. Ai ka qenë shumë punëtor, mjeshtër i madh. Nuk kanë pas nevojë kurrë me ikur prej Shqipërisë. Ka punuar edhe vullnetar. Shtëpia e tyre ka patur tokë e mall, çdo gjë gjeje atje. Ata veç komunizmi i ka larguar dhe mashtrimi. Ata kanë patur kostarë me e kosit barin 80 në ditë; kanë patur 500 kokë dhenë e plot pasuri. Ua bënë me hile, me mashtrim. Kur na kanë internuar, në shtëpinë tonë kanë futur gjithë repartin ushtarak, aq e madhe ishte. Nuk kishin ku ta strehonin dhe na hoqën neve e na morën shtëpinë. Shumë të tjera i kanë djegur fare. Për këtë tonën erdhi urdhëri të mos digjej. Ishte shumë e madhe dhe u duhej.

Martesa dhe largimi nga internimi

Kam kaluar plot 13 vjet në Lushnje. Pastaj jam martuar dhe i kam lënë njerëzit e mi atje. Bashkëshortin as e njihja as e kisha takuar. Në fillim u martua motra ime me një djalë që i kishin ikur katër vëllezërit në Jugosllavi. Kur ata kanë ikë në Jugosllavi, ky ka qenë ushtar, prandaj e kanë sjellë në internim. Atëherë lypi motrën time, biles nëna nuk deshte t’ia jepte. Thoshte: Unë nuk di, nuk e njoh. Nuk dua t’ia jap. Dhe nuk donte me ia dhënë; Ky u shkroi vëllezërve në Jugosllavi: Merruni vesh. Kështu nënës sime i erdhi një letër, mirëpo nëna as e pranoi letrën. Pastaj i erdhi një telegram që thoshte, mos bëj fjalë as një, as dy, por jepja vajzën Palit. Nëna ime u detyrua dhe ia dha. Ama, me mërzi se nuk e njihte, nuk dinte nga vjen, a ka shtëpi a çfarë ka. Motra u martua atëherë. Pas dy vjetësh, vijnë e më kërkojnë mua. Kunati, ai që mori motrën time, ishte në Savër. Ne kemi ndenjur më larg, në një tjetër vend, në Plug të Lushnjës. Tek puna e ka parë, e ka pëlqyer dhe e ka lypur motrën time. Ne kemi punuar edhe në fermë. Kunati me bashkëshortin tim të ardhshëm ishin djem tezesh. Nëna ime nuk donte. Ajo ka qarë gjithmonë për mua. Si të të jap edhe ty?Edhe të parën ashtu e dhashë, pa pëlqim. Ty të kam në qafë vetë. E kam merak, se për këto gjëra janë bërë luftëra gjithmonë. Kur nuk kanë përparuar, kanë thënë, ja, shkjau nuk e ka lënë me bo hajër kurrë. Prandaj ajo nuk ka pas qejf, hiç. Djali po më pëlqen, thoshte, po nuk di a ka gjë, e nuk dua ta di. Me atë djalë e di që bën jetën. Nuk lypte pasuri, kurrgjë. Veç me atë djalë, thoshte, ta kesh mirë. Në qafë të kam vetë. Atëherë u martova. Kam pritur 2 vjet, se nuk më erdhi lirimi. Një herë erdhi tek ky djali i tezes. Pas dy vjetësh pritje, më erdhi lirimi. Djali i tezes i nisi telegram dhe e njoftonte që u lirova. U lirova me motrën, se ishte edhe ajo e internuar. Atëherë edhe nëna u lirua; ishte 25 nëntor. Atëherë kanë ardhë e më kanë marrë. Pas dy vjetësh kam shku me i pa njerëzit e mi. …Kur u lirua, gjyshja shkoi në Theth, por vdiq pa dalë ende axha prej burgut. Ka vdekur tek shtëpia në Theth. As të shkonim nuk mundeshim, por lajmin na e sillnin. Edhe babës i çuan fjalë duke u tallur: O Mirash, të ka vdekur nëna, a po vjen ta shtish në dhe? Nuk ishte asnjeri prej nesh atje. E ka varrosur një nga dhëndurët e saj që ishte atje tok me të birin… Këto vuajtje nuk numërohen.

Arrestimi i bashkëshortit

Besa 7 vjet martesë kam pasur. Më ka lënë me tre fëmijë. Vetëm se ia vodhën shtëpinë. E ka sharë Enverin. …Agjitacion, thoshin ata, agjitacion e propagandë. Nuk ishin të vërteta, por kishin hall me e shti brenda, se kish marrë vajzën e të persekutuarit… të prekurën. Nuk kishim të drejta ne për asgjë. As për shkollë, as për shumë punë, se ishim të prekur. Atëherë e kena vuajtur, e kena ditë. Kur më ra burri në burg, erdhën me na sekuestrue. Kishim tre fëmijë edhe ishim me kunatin, se ka pas veç një vëlla dhe nanën burri im, kurse baba i ka pas vdekur. Erdhën më sekuestruan edhe bagëtinë. Unë desha ta marr një lopë se duhej të pinte fëmija, nuk më la kunati. Po, na i morën të gjitha. Çfarë me bo?- i thashë. E çuan në burg. Në gjyq pas disa kohësh, e dënuan 3-4 vjet. E çuan në Vlorë. Aty e ka bërë burgun. Ne nuk kishim mundësi me shku në Vlorë. As me e pa me sy. Vuajtjet tona nuk mbaronin.

Malli i Rinës për djalin që nuk e pa dot kurrë më

Besa e ka marrë malli boll, për Palin për djalin. Për djalin ka qarë. Dhe kur ka qenë duke dhënë shpirt, “Pal, nuk po të shoh nëna”, tha. Edhe Pali, kur ka qenë në fund tu dhanw shpirt ia eshte shfaqe nana sikur e pa duke ardhur, edhe tha, “erdh Rina”. E kanë pas fatin që u ndanë nga jeta të dy. Pali e ka pas merak ta vinin tek nëna. Kishte marrë një grusht dhè nga nëna, e kishte patur në xhep. Varrin ia kanë bërë fort mirë. Tek baba janë tre, në kufi e ka baba. Ai ka qenë në Amerikë. Ka pas vëllain Gjeloshin në kufi ku ka pas shtëpinë përpara. Kishte thënë, më merr e më ço, se du me shku atje prej meraku, në kufi, tek vëllai, më duket se më vjen ajri i Shqipërisë. Atëherë, aty ia kanë bërë varrin e kanë shtirë aty, edhe axha Gjelosh aty ka hyrë. Edhe Drania me ta. Tek varri, i kanë vënë një fotografi të madhe. Kur ka qenë duke dhënë shpirt e kanë pyetur: çfarë ke? Ka thënë, kurrgjë s’po kam merak, veç të shkoj në vendin tim.

Kur asht smurë nana më çoi fjalë djali i axhës. Më ka thënë është nëna sëmurë, hajde. Dhe kam shku edhe më ka lënë dy javë burri. I kam bërë yzmet deri sa dha shpirt në dorën time. Ka vdekur shumë kollaj. Veç me Palin në gojë.

Ia la amanet dhandrit:  “Ata nuk i shohim më, veç bëni derman për vete. Shifni jetën tuaj, se ata nuk vijnë më. Kanë marrë dhet’ e huaj”. Thoshte “ka qenë shtëpi e mirë e punës”. Vinin kosovarët u jepnin bukë. Kjo bukëdhënia i ka shpëtuar të gjithë, që nuk i ka gjetur gjë, as nuk i ka vrarë kush. Vetëm kur të vjen prej zotit. Kurrë nuk të gjen gjë prej bukës dhe nderës që kemi dhënë. Ka qenë shtëpi e madhe: 36 vetë kanë jetuar të gjithë. Tani nuk kanë qejf , nuk duhen kunatat. Në atë kohë ishim 36 bashkë. Si u ka thënë vjehrra grave, si u ka thënë i zoti i shtëpisë, ajo ka qenë më bukur!

Djali im donte ta çonte Palin në Theth. Ka shkuar e ka marrë në Shkodër, me e qit Palin atje, tek oborri. Ne me burrin shkuam me makinë tjetër. I them, na e ndal makinën se dua të shkoj tek nana; u ula, qava, i thashë, nanë ka ardhë Pali, ti nuk po e sheh e as nuk e ke pa… Jeta paska shumë. Na duket e gjatë prapë, po nuk është fort e gjatë. Kalojnë. Lum kush e kalon mirë!

Intervista është realizuar nga Kristale Ivezaj Rama, botuar ne librin ”Kampi i Tepelenës”, botim i AIDSH