Adolf Hitler-Albert Speer, një marrëdhënie homoseksuale e mbajtur sekret apo thjeshtë një simpati e Fyhrerit për arkitektin e famshëm?!

A ka pasur një lidhje intime mes Hitlerit dhe arkitektit të njohur gjerman Albert Speer gjatë Luftës së Dytë Botërore? Bashkëkohës dhe historianë nuk e fshehin dobësinë që Hitleri kishte për këtë mendje të zgjuar të arkitekturës botërore.

Ai e emëroi Speerin Inspektor të Përgjithshëm Ndërtimi për Berlinin, institucion i cili nuk kishte ekzistuar më parë, strukturuar nën varësinë direkte të Fyhrerit.

Në rezidencën Berghof, ata të dy do të kalojnë shumë net duke e gdhirë me fantazitë për urbanistikën e kryeqytetit, ku kanë planifikuar ndërtimin e bulevardit kryesor, ndërtesat e ministrive, teatrin e operës, hotelet luksoze deri edhe tek lokalet e dëfrimit.
Herë bëjnë skica e vizatime, herë makete, herë vetëm fjalë edhe pse të dy e dinë mirë se, përsa Gjermania është forcuar ekonomikisht, nuk ekzistonin mundësitë materiale për realizimin e tyre. Në takimet ku ndodhen edhe hierarkët e lartë, pas përfundimit të mbrëmjes, Alberti largohet me ta, por do të kalojnë maksimumi tre orë dhe do t’i bjerë telefoni.

Fyhereri e kërkon të paraqitet tek ai, sa më shpejt. Shperi kujton se kur ishte larguar për disa ditë me gruan për të bërë ski, të nesërmen e marrin në telefon dhe i thonë se, mëngjesin tjetër, duhet të gjendet për një takim te Fyhreri. Arjan Konomi në librin e tij “Saga e jetëve legjendë” tregon për këtë raport delikat mes dy figurave.

Sipas tij , justifikimet e Albertit se ndodhet shumë larg, nuk zënë vend dhe telefonata i përsëritet duke i thënë se është tepër urgjente. Me të mbërritur te shefi i tij në Berghof, shkojnë për të ngrënë drekë dhe asnjë lloj urgjence nuk kuptohet. “ Sa bukur që keni ardhur për drekë! Ju thirrën? Dje vetëm sa thashë: po Shper ç’u bë? Ç’të të them? Por ti je shumë mirë me shëndet. Ç’nevojë ke të shkosh e të bësh ski?”  Dhe biseda rinis mbi projektet e së ardhmes, për orë të tëra. Pastaj shikonin sërish vizatimet, planimetritë e maketet. Ishte si të “luanin” dhe kjo gjë nuk i lodhte. “Sa do të më kishte pëlqyer të bëhesha arkitekt”, i thotë Hitleri.

“Por, në atë rast, unë nuk do të kisha se kush të më mbështeste”, i përgjigjet Alberti. “Oh! Ju! Ju do të ishit bërë gjithsesi i suksesshëm”, ia kthen Hitleri. Në bisedat e tyre, Hitleri mban gjithnjë një ton të rezervuar e nëse do një ndryshim në projektin e paraqitur, e thotë nën kujdesin e një xhentilese të theksuar në fjalë, por edhe në tonin e zërit, “ekzaktësisht e kundërta e tonit të tërbuar që përdorte me bashkëpunëtorët politikë e ushtarakë”.

Shperi e shpjegon këtë në kujtimet e tij, sepse puna e një arkitekti është tepër teknike dhe ndoshta Fyhreri nuk donte që, “të impononte vullnetin e tij empirik, argumentave teknike”. Në fakt, ky arsyetim nuk qëndron po të kemi parasysh përbuzjen dhe ofendimet, që ai lëshon ndaj emrave të ndritur të arkitekturës gjermane. Për një nga ikonat e shkollës së arkitekturës berlineze i shprehet Albertit se, “nuk dua t’ia di, nëse ai fyhet nga mua… Shiko ç’ndërtim ka bërë! Kanceleria e Rajhut i ngjan më tepër zyrave administrative, të një fabrike sapuni, sesa qendrës së perandorisë”.
Adhurimi i tij për Shperin shprehet edhe në ato raste kur ky i fundit e kundërshtonte me një ide krejt ndryshe. “Po. Keni të drejtë. Kështu si thoni ju, është më mirë”, është përgjigja e Hitlerit.

Një natë, të mbledhur rreth tavolinës së çajit në Berghof, Hitleri e mbërthen me një shikim ngulitës Albertin duke mos i lëvizur sytë prej tij. As Shperi nuk i ul sytë. “Kushedi se çfarë instinktesh primogjenialë i bën dy meshkuj, të mbërthejnë gjatë sytë te njeri-tjetri, në shenjë sfide se kush do t’i ulë? Mu desh për një kohë, që mu duk e pambarimtë, të grumbulloja një sasi energjie thuajse mbinjerëzore, për mos t’iu bindur impulsit në rritje, për t’i larguar sytë nga vështrimi i Hitlerit, derisa ky i mbyll papritmas, të tijët”, shënon Shperi në lidhje më këtë episod.

Çfarë efekti Alberti përcjell tek ky njeri, i cili nuk dridhet as nga fuqitë e mëdha kur duhet të aneksojë Austrinë, kur të shkatërrojë dhe të pushtojë Çekosllovakinë, kur të sulmojë Poloninë e të bombardojë Londrën, kur zhduk kombe të lashta nga hartat botërore. “Nuk kujtoj as edhe një rast të vetëm, në të cilin ai të përpiqej të më bindte mua si arkitekt, të pranoja opinionin e tij”, shkruan Shperi. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore do t’i ndërpresë realizimin e  këtyre ëndrrave kolosale të tyre.

Më 9 janar 1939, saktësisht në datën e premtuar prej Shperit, përurohet Kanceleria e re e Rajhut, ku Fyhrer nuk fsheh jo vetëm entuaziazmin për një vepër të tillë, por nuk kursen edhe lavdërimet për Shperin edhe në prezencë të tij. Ajo çfarë shtang më shumë, është holli i gjatë prej dyqind metrash, që do ta përshkojë kushdo që do të ketë një pritje zyrtare me kancelarin. Shperi ka bërë një lidhje tepër komode, nëpërmjet një lulishteje midis zyrave dhe rezidencës së Hitlerit, e cila përshkohet si një shëtitje e shkurtër.  Ndërkaq, jeta në Berlin nuk është shumë ndryshe nga ajo në Berghof.
Hitleri zgjohet shumë vonë në mëngjes dhe këtë regjim do të mbajë edhe gjatë luftës. Paradite nuk bën asnjë punë apo takim, të cilat nisin me drekën. Shperi është i pranishëm çdo ditë në drekë, ku humbet shumë orë. Bisedohet në mënyrë jozyrtare për probleme dhe ngjarje të ditës. Hitleri do të ngarkojë detyra, por asnjëherë nuk do të flasë për një bisedë të rëndësishme, të kryer kokë më kokë me bashkëpunëtorët e tij. Ndodh që dikush nga të pranishmit jo të përhershëm të drekave, të shfrytëzojë rastin për t’i kërkuar atij një takim personal duke eleminuar pritjen për muaj të tërë. Nga ora katër e gjysmë çohen nga dreka dhe Hitleri shkëputet për bisedën private, zakonisht në lulishte.
Para se të dalë nga salla, kthehej nga Shper duke i thënë: “Më prit një moment këtu. Kam diçka që dua ta diskutoj me ju”. Pasi pret shpesh edhe gjatë, Shperi diskutonte me Hitlerin të ulur në poltrona, përballë e jo në tavolinën e punës dhe më pas e fton t’i tregojë për punën e tij. Kështu, arrinte ora gjashtë dhe Hitleri largohej ndërsa Shperi rendte në zyrën e tij, për të parë punën e asistentëve dhe për të dhënë direktiva. Papërfunduar, binte telefoni ku njoftohej se Fyhreri e priste për darkë.

Darka është më e rezervuar. Si zakonisht të përhershmit, shoferi, fotografi, doktori, piloti, ndihmësat e tij dhe i pamungueshmi Borman. Darka hahet me gatime të thjeshta. Njëherë shërbehet haviar dhe Hitlerit i pëlqen shumë duke bërë, që mos të mungojë në tavolinë. Por, kur merr vesh sesa kushton haviari i ndalon ta blejnë, për shkak të çmimit të shtrenjtë. Pasi mbaron darka, ulen në sallonin e mbledhjeve, ku fillon projektimi i filmave, të cilët mbaronin nga ora një e natës. I vetmi i freskët nga të pranishmit është Hitleri, i cili niste diskutimet mbi interpretimet e aktorëve dhe jetët e tyre. Më pas, biseda vazhdonte në sallonin tjetër, ku janë përgatitur sanduiçe, birrë dhe verë. Hitleri shprehet se i pëlqejnë femrat pak të dobëta dhe të gjata, aspak të ngjashme me Eva Braun.

Për këtë, janë përshtatur dy dhoma pranë atyre të Hitlerit, ku Eva jeton si e ngujuar, pa dalë asnjëherë në katin e poshtëm dhe pa takuar asnjë nga të ftuarit e Hitlerit. Kur të tjerët shijojnë nga një gotë alkoli, Hitleri e fton Shperin në një kënd mënjanë, ku hapin projektet arkitektonike dhe diskutojnë mbi planimetritë derisa mbeten të fundit. Ora shkonte tre e mëngjesit. Shperi çuditet ndonjëherë kur shikon këta njerëz të rëndomtë e të lodhur prej orëve të gjata, që e tërë kjo skenë ndodh pikërisht aty, ky Bismarku ka marrë vendimet më të rëndësishme të historisë gjermane.

Ndërsa Albert Shperi shndërrohet në mikun më intim të Fyhrerit të Rajhut III, shtohen më tepër edhe xhelozitë dhe intrigat e të mëdhenjve të perandorisë. Bormani, me zotësinë e një të heshturi të nënshtruar, kishte arritur të merrte në dorë, gjithë administrimin privat të Hitlerit duke mos iu ndarë asnjë moment dhe duke u shndërruar kështu, në sekretarin më të besuar, më të zellshëm dhe të domosdoshëm të tij. Në të vërtetë, ka edhe një arsye që i lidhte të dy, për të cilën asnjë në mënyrë absolute nuk ka dijeni.

Gjithë pasuria e grumbulluar gjatë nazizmit, bashkë me ato të vjedhura nga vendet e pushtuara, që llogariten mijëra tonellata flori, piktura, diamantë e gurë të çmuar me një vlerë ekstremisht kolosale, të depozituara në tunelet e bankave zviceriane, janë në emër të Martin Bormanit. Ky ishte një sekret i atyre të dyve, përjashtuar edhe Albertin. Konflikte eksiztonin midis hierarkëve të lartë të nazizmit, Gëringut, Gëblesit, Himlerit, Ribentropit, Leit e Hesit për maksimizuar pushtetin e tyre. Asnjë prej tyre, nuk do ta kuptojë se rreziku i përbashkët i tyre, është Bormani.

Midis Shperit edhe Bormanit, do të nisë një rivalitet të heshtur ushqyer nga xhelozia e ndikimit te Hitleri, që do të thotë më shumë pushteti personal. Albert Speer ishte për shumë kohë njeriu kryesor pranë Hitlerit, të cilin  ky i fundit i pëlqente ta takonte dhe mbrëmjeve vonë. Gjithnjë ka pasur pyetje mbi seksualitetin e Hitlerit, të ngritura pas kësaj miqësie që i kalonte kufijtë e një bashkëpunimi…