Adelina Ismaili: Unë u riktheva, jam këtu vetëm për ata që më duan dhe i dua

Butrint Avdyli/Telegraf/

Është cilësuar dhe ende mbetet Diva e muzikës moderne shqiptare!

Adelina Ismaili, këngëtarja e cila ka thyer rregullat atëherë kur gjithçka ishte e ndaluar, vjen kësaj radhe në një intervistë për Telegrafin për të folur rreth më të rejave në karrierën dhe jetën e saj.

Pas disa vitesh mungesë në skenën shqiptare, Adelina shënoi rikthimin me një projekt të ri muzikor, të titulluar “T’iqja”. Një këngë rebele e shoqëruar me një klip interesant, bëri që e gjithë vëmendja aktuale mediatike të pasohet nga diva, e cila në projektin e saj të fundit sfidon realitetin, duke treguar të vërtetën, ashtu siç ka bërë në çdo këngë të sajën ndër vite….

Adelina, jeni rikthyer pas kaq shumë kohësh në muzikë me projektin e ri “T’iqja”. Na trego pak sa ju kishte marr malli për skenën?

Malli për skenën nuk kalon kurrë, posaçërisht për mua që jam rritur në skenë. Nuk them se vuaja, unë jam shumë e ngopur në atë segment. Po them që një lidhje private shumë emocionale paska ekzistuar gjithmonë.

Përse “T’iqja”? Kush është ky personazh?

Pse jo T’iqja? Ballkani është vendi i vetëm në botë ku gjen femra të papuna që kanë miliona euro. Si shpjegohet kjo? Mua nuk më pengojnë “T’iqet”, madje i kam simpatike në idiotësinë e tyre. Unë i këndoj dhembjes së atyre grave që lindin dhe edukojnë fëmijë, punojnë deri në tetë orë në ditë, bëjnë mëngjesin, drekën, darkën, presin e përcjellin mysafirë, janë gjithmonë të buzëqeshura dhe fitojnë 250€ në muaj. Unë vetëm pyes: Çka punon “T’iqja”? (Qesh).

A ka qenë për fatin e keq jeta reale në përditshmëri e disa femrave të sponsoruara si frymëzim për realizimin e këtij projekti?

Po natyrisht. E gjithë vepra ime është e inspiruar nga situata të përditshme. Nuk prisja reagim kaq të fortë, por as më shkon mendja të tërhiqem. Të kuptohemi: nuk kam asgjë kundër “T’iqeve”, kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë. Kam kundër atyre që janë prapa këtyre femrave pa fat.

Adelina Ismaili: “T’iqja, një fenomen real në vendin tonë” (Foto: Studio Sellma)

Çfarë presim tani nga Adelina pas rikthimit? Do të jeni aktive me këngë të reja dhe mbrëmje muzikore?

Nuk e ndjej nevojën të jem aktive si dikur. Dita ime është e mbushur tashmë. Unë kam borxh të pashlyer ndaj fansave të mi, që i kam si familje dhe nuk jam e qetë kur ata duan këngë nga unë. Nuk pres të më kuptojnë ata që nuk e kanë provuar kurrë dashurinë. Unë jam këtu vetëm për ata që më duan dhe i dua.

Uliksi ishte për herë të parë pjesë e një klipi me të ëmën. Si e përjetoi ai këtë rast të veçantë?

E adhuron kamerën(qesh). Kur e fotografojmë, rri i shtangur në poza derisa të mbarojë. Kur e pa vetën në ekran, e përqafonte pa ndal (qesh). Po të mos ishte ky relacion i tij « special » me klipe e foto, kurrë as nuk do të konsideroja ta përfshija në punën time.

Adelina Ismaili dhe djali i saj i vogël, Uliksi (Foto: Prive/YouTube)

Ka tash e sa kohë që jeni rikthyer në Prishtinë për të jetuar. Si po ju ecën jetesa këtu?

Në fakt, kurrë më mirë nuk kam qenë. Jam kthyer të jem afër motrave që i kam si dy sytë e ballit. Vali e don Prishtinën më shumë se unë, ka dalë i vogël prej saj dhe i ka mbetur peng (qesh). Unë jam si peshku në ujë këtu.

Dueti i famshëm me Zanfinën, në prag të realizimit apo ende jo?

Zani është tashmë juriste e diplomuar, dhe duhet termin që ta takoj e ta pyes për këtë gjë (qesh). Pyeteni ju më mirë, në duete ajo është ‘bossi’.

Adelina dhe Zanfina Ismaili (Foto: Adelina Ismaili/Instagram)

Vlerësimi juaj për tregun e muzikës sot?

Mes shume femrave, mungon kreativja femërore.

Moto e jetës?

Jeto dhe lejoi tjerët të jetojnë.

Adelina Ismaili: “Motoja ime e jetës: Jeto dhe lejoi tjerët të jetojnë” (Foto: Besim Mydyti)

Adelina, faleminderit që ishe pjesë e intervistës. Cila do të ishte porosia jote për fansat në fund?

Faleminderit dhe juve. Fansat e mi i dinë të gjithë për mua, ju them: Qofshi të lumtur gjithmonë, ju dua me krejt shpirtin. /Telegrafi/

Adelina Ismaili (Foto: Studio Sellma)