ACAR NE MARREDHENIET SHBA-RUSI/ Anulohet bisedimet mes zëvendës ministrit të jashtëm rus, Sergei Ryabkov dhe nënsekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Shannon

Zyrtarët rusë reaguan ndaj sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara, duke anuluar bisedimet e parashikuara mes zëvendës ministrit të jashtëm rus, Sergei Ryabkov dhe nënsekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Shannon.

Zoti Ryabkov tha se “gjendja e krijuar nuk është e përshtatshme për të mbajtur këtë raund dialogu”.

Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu keqardhjen për anullimin e bisedimeve të së premtes. “Na vjen keq që Rusia ka vendosur të heqë dorë nga mundësia për të diskutuar pengesat dypalëshe për marrëdhëniet SHBA-Rusi”, tha zëdhënësja Heather Nauert, në një deklaratë.

Të martën, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe separatistëve rusë në Ukrainën Lindore. Sanksionet vënë në shënjestër 38 individë dhe entitete ruse apo pro-ruse të përfshira në konfliktin në Ukrainën lindore, përfshirë dy zyrtarë të lartë rusë: zëvendës ministrin e ekonomisë, Sergey Nazarov dhe deputetin Alexander Babakov.

Një zëdhënës i Kremlinit tha se lëvizja nuk ishte konstruktive dhe se “po shqyrtoheshin disa alternativa si kundërpërgjigje në nivel ekspertësh”.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë të tensionuara. Shtëpia e Bardhë kishte shqyrtuar mundësinë e një takimi mes Presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, kur ata të merrnin pjesë në takimin e grupit të 20-es në korrik.