Abuzimi me HEC-in e Fierzës, dëmi vetëm në dy ditë, 400 mijë euro

Dje Top Channel raportoi për një sasi energjie të prodhuar këto dy ditët e fundit të nëntorit, të cilën Korporata elektro-energjetike ia ka shitur tre operatorëve privatë, EFT, GSA dhe HSE, duke anashkaluar Operatorin e Shpërndarjes.

 Energjia që KESH-i i ka shitur më lire këtyre tre kompanive private, do t’i shitet më shtrenjtë OSHEE-së, duke u siguruar privatëve një fitim të menjëhershëm prej disa qindra mijëra euro vetëm për dy ditë.

Pas këtij lajmi, KESH-i reagoi përmes një deklarate të shpërndarë nga Ministria e Energjisë. Në deklaratë KESH-i nuk merret me thelbin e lajmit, se përse e nxori energjinë e tepërt në ankand pa njoftuar më parë OSHEE-në, siç e detyron ligji. Por KESH-i sqaron nga pikëpamja teknike se energjia e tepërt do të prodhohet nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës për të mos çuar dëm ujin që do të derdhet në basene nga prurjet anësore prej reshjeve të shtuara.

Sipas KESH-it, Fierza, me basenin më të madh, që rregullon krejt kaskadën e lumit Drin dhe që sot gjendet në kuotat më të ulëta historike, nuk do të prodhonte energji, për të shtuar rezervën hidrike. Por a është kjo e vërtetë?

Top Channel disponon një dokument që vërteton se Fierza është në përdorim. Skandali i shitjes së energjisë tek privatët thellohet më tej.

Deklarata e KESH-it ndër të tjera thoshte: “Bazuar në kushtet hidrometeorologjike, deri më datë 2 dhjetor bëhet e domosdoshme përpunimi i prurjeve anësore në Koman dhe Vaun e Dejës, gjë e cila çon në rritje të pashmangshme të prodhimit të energjisë. Ndërkohë, në hidrocentralin e Fierzës nuk do të ndryshojë regjimi i prodhimit me synim rritjen e rezervës energjetike”.

Kjo deklaratë përmban një të pavërtetë. Top Channel disponon dokumente që faktojnë se KESH ka prodhuar energji nga Fierza, edhe pse ky hidrocentral ndodhet në kuotat më të ulëta historike.

Në tabelën e prodhimit të energjisë në datën 27 nëntor Fierza ka qenë e mbyllur dhe KESH ka prodhuar energji vetëm nga Komani dhe Vau i Dejës.

Prurjet në këtë datë kanë qenë 129m3/s dhe niveli i ujit në liqen është rritur me 30 centimetër.

Por çfarë ndodh dy ditë më vonë, kur nis shitja e energjisë tek privatët?

Në tabelën e prodhimit të energjisë në datën 28 nëntor Fierza është vënë në punë duke prodhuar 1700 megavat energji. Si rezultat, në vend që të rritej me 30 centimetër, sepse prurjet kanë qenë ekzaktësisht të njëjta, Fierza është rritur me vetëm 7 centimetër.

Por situata rëndohet ditën tjetër. Në datën 29 nëntor KESH ka prodhuar në Fierzë 3400 mega vat energji të tjera, duke bërë që niveli i Fierzës jo vetëm të mos rritet, por të ulet me 22 centimetër, edhe pse prurjet kanë qenë po 129m/s.

“Këto dokumente faktojnë se ndryshe nga sa deklaron zyrtarisht, KESH ka prodhuar energji nga Fierza për t’ia u shitur tre kompanive EFT, GSA dhe HSE, me 73 euro për mega vat, energji që më pas privatët do t’ia shesin OSHEE me 85 euro për mega vat. Në total për dy ditë KESH ka prodhuar nga Fierza 5100 mega vat saktësisht një e treta e energjisë që u është shitur privatëve”.

Kjo është hera e parë në historinë e kaskadës, që KESH shet energji nga Fierza, kur baseni ndodhet në kuotat më minimale historike vetëm 268 metër. Dëmet janë të shumëfishta. Së pari është cenuar siguria energjetike e vendit.

Shqipëria sot blen çdo ditë 1.5 milionë euro energji nga importi me paratë e qytetarëve, pikërisht për të mbajtur mbyllur Fierzën, me qëllim që të rritet rezerva hidrike në këtë hidrocentral, rregullator i krejt kaskadës së Drinit. Por siç tregojnë dokumentet, Fierza jo vetëm nuk është mbajtur mbyllur, por është vënë në punë për t’u shitur energji privatëve. Rrjedhimisht niveli i ujit, i cili për tre ditë duhet të ishte shtuar me 1 metër, është rritur me vetëm 15 centimetër.

Pasoja e dytë është financiare. Aktualisht energjia në bursë shitet me 95.3 euro për mega vat, ndërkohë që KESH e shiti vetëm me 73, pra 22 euro më lirë.

Për 15 mijë megavat që u shitën dëmi i shkaktuar qytetarëve është 330 mijë euro, por nëse i shton edhe kostot e kapacitetit ai shkon 400 mijë euro, vetëm për dy ditë, pra 200 mijë më shumë se sa raportuam të mërkurën.

Së treti, përmes vënies në punë të Fierzës, KESH jo vetëm që nuk ka ulur rrezikun për shpërdorimin e ujit ashtu sikurse pretendon, por e ka rritur atë duke shtuar prurjet në Koman dhe Vaun e Dejës.

Top Channel