A janë financimet e huaja sekrete, arsyeja pse refuzohet formalizimi i sektorit mediatik?!

Nga Erion Pali/

Ministria e jashtme greke raportohet të ketë financuar me fondet sekrete mediat në Shqipëri dhe Maqedoni me qëllim që të lobohet me gazetarë e drejtues mediash në dy vendet fqinje, në dobi të interesave të Greqisë.

Ky lajm i mediave greke në fakt konfirmon disa të vërteta për situatën e medias në Shqipëri.

Së pari dëshmon se qënka e vërtetë që palë dhe forca të jashtme, janë në gjendje të blejnë mediat shqiptare me qëllime të promovimit të interesave të tyre.

Së dyti, me këtë lehtësi të shit-blerjes së mediave Shqiptare, ekzistoka vërtet rreziku që ato të kthehen në insturmente kundër interesave shqiptarë. E kur kanë pranuar para nga Greqia, merreni me mend se sa larg mund të ketë shkuar flirtimi me Rusinë, tejet e interesuar për të promovuar interesat e saj në Ballkan dhe Shqipëri posaçërisht, pavarësisht se Shqipëria me Rusinë nuk kanë të njejtat interesa.

Mos të harrojmë edhe lidhjet e zbuluara nga gazetat ndërkombëtare mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe oligarkëve rusë, të investuar fuqimisht për të shtrirë influencën e tyre në Shqipëri përmes aferave të lobimit.

Së treti, kjo justifikon ngulmimin e madh të elementëve të medias që refuzojnë të deklarojnë të ardhurat dhe financimet në QKB, çfarë do t’i shërbente formalizimit të sektorit.

Futja e parave nga vendet që janë kundër interesave shqiptarë, përfitimet e drejtëpërdrejta të këtyre mediave, pa marrë në konsideratë interesat kombëtarë, duket të jenë arsyeja e fortë pse askujt prej tyre nuk i intereson formalizimi i sektorit!