75 vjet më parë përfundonte Lufta II Botërore, kohë, si e sotmja, për rifillim e rindërtim

Përfundimi i konfliktit të dytë botëror nuk është kohë e shkëputur nga e sotmja. Edhe sot mund të na bëjë të reflektojmë për shtyllat e domosdoshme, si bashkëpunimi dhe dialogu.
Kaluan 75 vjet nga koha kur Gjermania naziste kapitulloi. Përfundonte, kështu, në Evropë, Lufta II Botërore. Dokumenti përfundimtar, që i dha fund zyrtarisht luftës në fushën evropiane të betejës, u nënshkrua natën e 8 majit, në Berlin. Mbyllej, në një atmosferë ndërmjet të panjohurave e shpresave, një faqe tragjike, me më se 50 milionë të vdekur. Në shumë vende, në çastin e përfundimit, ranë përnjëherësh në festë të gjitha kumbonët. Ishte “koncerti” i parë i paqes, që përhapej nga majat e kumbonareve, shpesh të dëmtuara rëndë nga bombardimet. Të nesërmen e dorëzimit të Gjermanisë, Papa Piu XII uronte, përmes një radiomesazhi, që të ngriheshin nga varret “mjeshtrat e artizanët e një Evrope të re, më të mirë”:
 
“E na duket se ata, të rënët, i qortojnë të gjallët për shuplakën e përbindshme, u flasin e u thonë: ‘urojmë të ngrihen nga eshtrat tona e nga varret tona e nga toka, ku u hodhëm si kokrra gruri, mjeshtrat e artizanët e një Evropë të re, më të mirë, të një universi më të mirë, të themeluar mbi frikën bijnore të Zotit, mbi besnikërinë e urdhërimet e Tij, mbi respektimin e dinjitetit njerëzor, mbi parimin e shenjtë të barazisë e të drejtave për mbarë popujt e të gjitha shtetet, të mëdhenj e të vegjël, të ligshtë e të fortë!’” (Radiomesazhi i Piut XII, 9 maj 1945).
 
Nga eklipsi i luftës – tek vizionet e reja të bashkësisë. Nuk duhet menduar për Luftën II Botërore si ngjarje tashmë e largët historike, që nuk ka ç’t’i thotë njeriu të sotëm. Lidhet fort edhe me ditët, që po jetojmë. Me vlerën e vërtetë e të bashksisë, të bashkëpunmit e sidomos, të vënies së njeriut në qendër të jetës. Këto janë fanarët, që duhet t’i ndriçojnë edhe kohët tona, sot të errësuara nga retë e zeza të pandemisë.
 
Duhet kujtuar se Evropa linte pas një kohë tejet të hidhur, kohën e perëndimit të demokracisë e të humbjes së vlerave të njeriut. E dilte nga lufta e shkatërruar jo vetëm territorialisht, por edhe materialisht. Duhej rindërtuar i gjithë indi shoqëror e moral. E pikërisht në këto vite, ndërmjet 1945-sës e 1951-t, krijohen parakushtet jo vetëm për rikthimin e demokracisë, por edhe vizioni i një Evrope të bashkuar.
 
Kthim tek ëndrra e Etërve themelues
Këtë mund ta shikojmë edhe përmes “Apostullimit politik” të burrave të mëdhenj, jo vetëm të botës katolike. Na vijnë menjëherë në mendje personalitetet e mëdhenj, që krijuan Evropën: Konrad Adenauer, Alcide De Gasperi, Robert Schuman, Paul Henri Spaak. Por edhe të gjithë ata që, pavarësisht nga qëndrimet e tyre, e kuptuan se duhej një politikë e re. E për ta rinuar politikën, ishte i nevojshëm jo vetëm mendimi e propozimi. Sepse këto kishin qenë edhe më parë se të luhej tragjedia e Luftës II Botërore – po duhej kthyer politika në pragun e vlerave të saj themelore. Ishte e nevojshme kjo përtëritje, që pastaj do të përkryhej me Kushtetutat e mëdha.
 
BE-ja: Virusi i lashtë i përçarjeve dhe i egoizmave kthehet, por kthehet edhe vaksina
Mjafton të mendojmë – në sa jemi në 70-vjetorin e ngjarjes – 9 majin e vitit 1950 kur Ministri i jashtëm francez, Robert Schuman, pati shqiptuar një fjalim të paharrueshëm, me të cilin propozonte krijimin e bashkimit evropiam të Qymyrit e të Çelikut (CECA), hap i parë i udhës që, përmes një sërë institucionesh kontinentale, do të çonte, dyzet vjet më vonë, në lindjen e Bashkimit Evropian. Të mrekullon aktualiteti i kësaj Deklarate. Schuman, i cili i kishte ende në sy pamjet tronditëse, lënë pas nga lufta vëllavrasëse, që e kishte dërmuar Evropën dhe botën, kujtonte se paqja nuk do të mund të shpëtohej ndryshe “përveçse me përpjeket krijuese, në përpjestim me rreziqet, që e kërcënojnë”. Paqe e solidaritet! “Evropa – pohonte Schuman, duke pasur parasysh udhën që do të bëhej në dhjetëvjeçarët e ardhshëm – nuk mund të bëhet menjëherë; ajo do të ndërtohet me forcat e përbashkëta, do të rilindë nga realizimet konkrete, që duhet të krijojnë një solidaritet të mirëfilltë”. E, duke folur për objektivin parësor të CECA-s: shkrirjes së prodhimit të qymyrit dhe çelikut – posaçërisht në Francë e Gjermani – nënvizonte se “ky prodhim do t’i ofrohej mbarë botës, pa asnjë dallim a përjashtim, për të dhënë ndihmesën në rritjen e nivelit të jetesës dhe të progresit të veprave të paqes”. Forca profetike e këtyre fjalëve qe e tillë sa, edhe pas shumë e shumë vitesh, në Këshillin Evropian të Milanos, në qershor të vitit 1985, u morën si pikëmbështetje për themelimin e Festës së Evropës, që përkon me datën kur Schuman shqiptoi fjalimin e tij të famshëm.
 
Afrimi i kësaj feste, në një situatë që e vë në provë tejet të vështirë vijimin e ndërtimit të bashkësisë evropiane, të kujton se mund të mësohet akoma shumë nga mënyra sesi “Etërit Themelues” iu përgjigjen emergjencave të ndryshme, jo më pak të rënda se këto që sot janë të thirrur t’i përballojnë liderët e Bashkimit Evropian. “Burra e politikanë të vërtetë, objektivë e realistë” – siç i kujton Joseph Ratzinger – për të cilët “politika nuk ishte pragmatizëm i pastër, sepse hynte në lidhje të ngushta edhe me moralin”. Pikërisht për t’u kthyer tek rrënjët, tek vlerat themeluese të Evropës, bën thirrje Françesku – Papa i parë jo evropian pas disa shekujsh – që i ka vazhdimisht në qendër të vëmendjes liderët e popujt evropianë e që kohët e fundit, në një mënyrë prekëse për të gjithë, e jo vetëm besimtarët, në Mesazhin Urbi et Orbi të Pashkëve, ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi, i drejtoi një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore – kujtoi – ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja. Virusi i lashtë i përçarjeve dhe i egoizmave kthehet, por kthehet edhe vaksina gjithnjë e frytshme e solidarietit ose, për ta thënë me një shprehje edhe më të dashur për Papën, e “vëllazërimit njerëzor”.
R. SH. – Vatikan