50 vjetori i misionit Apollo 11 – Presidenti Trump pret astronautët në Shtëpinë e Bardhë

50 vjet nga dita kur astronautët e parë amerikanë u nisën drejt Hënës, me misionin e hapësirës Apollo 11. Presidenti Trump i priti të premten në Shtëpinë e Bardhë astronautët.

I rrethuar nga Buzz Aldrin, Mike Collins dhe nga familjarë të komandantit të misionit Neil Armstrong në Zyrën Ovale, Presidenti Trump u informua për planet e administratës së tij për të dërguar përsëri astronautë në Hënë dhe në Mars, si dhe mbi përparimet në realizimin e fluturimeve komerciale në hapësirë.

“Ne do ta sjellim sërish shkëlqimin e suksesit në programin e hapësirës”, – tha Presidenti Trump. Të pranishëm në takim ishin gjithashtu Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti Mike Pence dhe administratori i NASA-s Jim Bridenstine.

Buzz Aldrin i tha Presidentit se ndjehej i zhgënjyer që nuk janë shënuar përparime të mëdha në eksplorimin e hapësirës gjatë dekadës së fundit.

Astronautët Aldrin dhe Armstrong, i cili u nda nga jeta në vitin 2012, bënë histori kur u ulën në hënë 50 vjet më parë si sot, ndërsa astronauti tjetër Mike Collins qëndroi në modulën e komandimit në orbitë, sipër tyre.

Nënpresidenti Mike Pence shkon sot në Qendrën Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral të Floridës, ku do të mbajë një fjalim për këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara.

VOA