28 Nëntori, festa që gëzon shqiptarët dhe bën fajtor politikën

Nga Halil Teodori

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit, Dita e lindjes së shtetit shqiptar, ka hyrë në historinë moderne si dita që mbajti përdhunshëm të ndarë politikën, por mbajti më të bashkuar nën flamurin kuq e zi gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në të katër anët e botës. Të gjithë ata që dinë ta festojnë me madhështi dhe solemnitet këtë festë. Ata që janë gjaku i këtij flamuri, janë krenaria e kësaj shqiponje dykrenore.

28 Nëntori, dita kur plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, dhe përfaqësuesit e gjithë trojeve shqiptare, Shpallë Mëvetësimin e Shqipërisë më 1912, ishte dhe do të mbetet në librat e historisë dhe në gjakun e çdo shqiptari, si dita më e shënuar, si kremtja më sublime. Këtë ditë, shqiptarët e arritën me mund dhe sakrifica të mëdha. Këtë flamur e ngjyen me gjakun e tyre bijtë dhe bijat më të mirë të kësaj toke, gjithë ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë në jetën e tyre atdheut… lirinë, këtë flamur kuqezi, këtë të drejtë mburrje kombëtare dhe krenari të brezave.

Deri në trokitjen e këtij solemniteti, Shqipëria dhe shqiptarët u endën udhëkryqeve të fatit të keq. U gjymtua e na u vodh toka e të parëve. Na u grabitën malet ku lindëm kuja e i’u dhamë kushtrimeve. Na u mohuan pyjet ku kishim rritur lisat për të bërë djepet dhe qivuret. Na u mur gjithçka që kishim, por gjakun dhe zjarrin e atdhedashurisë nuk mundën të na shkulnin dot nga kraharoret, nga ato kraharorë që gjëmuan vullnete të fuqishme.

Shqiptarët u rrëzuan dhe ngritën, u vranë dhe rilindën, hoqën dhe fituan dhe i thirrën gjakut, kërkuan amanetet këtyre maleve, kësaj toke, ngjizëm e përkundëm, rritëm e ndritën dalëzotës që përkundër gjithë atyre stuhive e tërmeteve, hileve dhe poshtërsive. Ngritën zërin e kërkuan të drejtë, gjakun dhanë e ngjyen flamurin, kreshtave morën shqiponjën e në një betim solemn u bashkuan.

Erdhën nga udhë e gjatë, u mblodhën nën një betim, nënshkruan një të drejtë legjitime, atë të mëvetësisë, atë të drejtë që i ishte grabitur prej pesë shekujsh dhe u’a rikthyen shqiptarëve shtetin e tyre, flamurin e tyre, identitetin e tyre.

U valëvit ai flamur, u dëgjuan në të katër anët e botës ajo brohorimë e fuqishme, ajo thirrje që edhe sot pas 105 vitesh, të ngjeth, sepse është thirrja e gjithë atyre jetëve të flijuara për këtë flamur, është oshëtima e gjithë atyre maleve, është gurgullima e gjitha atyre lumenjve, është gjiri i asaj nëne, ninulla e asaj zane, është lindja e rilindjes së arbërve.

Dhe… e mbajnë këtë flamurë që u ngrit më 28 nëntor të vitit 1912, në dasma e morte, në beteja dhe në fitore. Këtë flamur e kanë pajë të krenarisë, e kanë amanet të të parëve, e kanë shtrojë dhe mbulojë, e kanë zjarrin e zemrave të tyre. Atë e ruajnë në gjoks, e mbajnë në kornizë, e ndjejnë teksa u vërshon uturishëm në gjak.

Por fatkeqësisht, politika, politika këtë flamur nuk ka nguruar ta shpërdorojë në pazare politike, në dallavere interesash. Kudo dhe më çmimin e turpit ka luajtur me këtë flamur, pa u ndjerë asnjëherë e penduar. Ajo s’ka qenë dinjitoze asnjëherë me këtë flamur kuqezi, me këtë simbol, me këtë element përfaqësues, sepse edhe vetë qëllimet e saja kanë qenë gjithnjë në dëm të krenarisë, në shpërdorim të asaj krenarie, të cilën e fituam me gjak dhe e mbrojtëm me jetë. Si mund të ishte ndryshe kur po ata politikanë e kthyen këtë Shqipëri, këtë truall, në “tokë të mallkuar”, në një shtet që i dëbon qytetarët e vet dhe ata që i mban i shfrytëzon e skllavëron, i nënçmon dhe i poshtëron, i shet dhe i blen.

Më 28 Nëntor, kur në mbarë botën ku jetojnë shqiptarë, festohet si Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, në Shqipërinë ëmë një pjesë e politikës i mbivendos kësaj date të shënuar edhe një datë tjetër, një kremte tjetër historike, Ditën e Çlirimit. Denigrimi i të vërtetave historike është pazari më i patolerueshëm që politika i’a faturon vetes, ajo pjesë e politikës, e cila kërkon të injorojë të vërtetën dhe të zbeh atmosferën festive të kësaj dite të shënuar.

Edhe pse kanë kaluar vite qysh kur e majta dhe e djathta u ndanë për 28 dhe 29 Nëntorin, ende nuk është gjetur një motivim kthjellimi të vetëdijes historike dhe kombëtare. Madje është vetë ajo që ka pjellë këtë mosmarrëveshje, këtë keqkuptim, këtë deformim historik, e cila për inat të njëra-tjetrës i lënë shqiptarët pa të vërtetën historike, pa datën e saktë të Çlirimit. Megjithatë kurrë nuk është vonë që pikërisht kjo politikë të dorëzohet, të heq dorë nga e drejta e saj prepotente dhe t’ia lërë historianëve të shkruajnë historinë. Gjithsesi, shqiptarët kudo që janë, kudo që jetojnë e punojnë, kudo që ata e ndjejnë dhe e promovojnë si të drejtë krenarie kombëtare të qenin shqiptarë, e dinë të vërtetën historike, dinë ta bashkojnë atë që politika ndan, në dëm të ndjenjës së tyre nacionale.