190-VJETORI I LINDJES SE GJUHETARIT DHE PERKTHYESIT/ “Gjahun e malësorëvet” e Konstantin Kristoforidhi vjen online në gegnisht dhe toskërisht

Në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Konstantin Kristoforidhi, Biblioteka Kombëtare fton publikun të njihet me editimin digjital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht.

Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë. BKSH ka përzgjedhur për lexuesit e saj botimin e vitit 1950, përgatitur nga studiuesi i mirënjohur Ziaudin Kodra. Ky botim jep mundësinë të kryhet leximi paralel në dy dialektet si dhe të shijohet eleganca gjuhësore dhe mjeshtëria e penës së autorit.

Tashmë “Gjahu i malësorëvet”, mund të shfletohet online në faqen zyrtare të BKSH. Ajo cfarë është interesante janë dy kohët kur është shkruar tregimi. Në njërën faqe është teksti toskërisht dhe në tjetrën gegënisht. “-Po i mirë është Mark Shalë Gjati?”, thuhet në variantin toskërisht.

Në variantin gegënisht shkruhet “Po i mir’ është Mark-shalë-gjati?. Apo “-Na tek po vijnë gjithë gjahtarëtë, po vijnë tufa..”në variantin toskërisht. Ndërsa në variantin gegërisht shkruhet “Një ke po vijënë gjithë gjatarëtë, po vinjë tufë tufë.” Ashtu sic duket dhe nga kopjet në mes të dy varianteve nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh.

Konstandin Kristoforidhi (1827-1895) ishte përkthyes, filolog, studiues i gjuhës shqipe dhe veprimtar thelbësor i Rilindjes Kombëtare. Ai lindi në Elbasan dhe mësoi në gjimnazin e Janinës, ku ishte edhe mësues i themeluesit të albanologjisë, Johan Georg fon Hanit. Udhëtimet e tij e çuan në Izmir, në Stamboll e më pas në Maltë./gazetashqip