Lamtumirë Fatos Arapi, ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur i letërsisë shqipe

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Rama, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi dhe figura të shumta publike, mesazhe ngushëllimi familjarëve dhe dashamirësve të poetit, përkthyesit, gazetarit, profesorit.

Albina Gjergji

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari i mirënjohur i letërsisë shqipe, Fatos Arapi. Poeti, publicisti, profesori, gazetari dhe përkthyesi i shumë botimeve të huaja i dha lamturmirën kësaj bote mbrëmjen e së mërkurës. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Sharrës. Të shumtë ishin personalitetet që, me të mësuar lajmin u dërguan mesazhe ngushëllimi familjarëve të të ndjerit, si dhe dashamirësve të poezisë së tij. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Rama, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, etj. e vlerësuan me superlativa jetën dhe veprën e shkrimtarit Fatos Arapi. Ndë nderim të figurës së Arapit, ditën e djeshme parlamenti mbajti një minut heshtje.

Fatos Arapi u lind në vitin 1930 në qytetin e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi.

Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Fatos Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Cezari dhe ushtari i mirë Shvejk, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Në shenjë homazhi, nderimi dhe mirënjohjeje ndaj poetit Fatos Arapi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli një ekspozitë të titulluar, “Homazh Fatos Arapit” (1930-2018).

Krijimtaria e botuar e Fatos Arapit zë fill në vitin 1962 me botimin e vëllimit të parë poetik “Shtigje poetike”, për të vijuar më pas me një sërë vëllimesh poetike, tregime e novela dhe romane.

E larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, krijimtaria e tij rreth 50-vjeçare përfshin : “Poema dhe vjersha” (1966); “Ritme të hekurta: vjersha dhe poema” (1968); “Patat e egra: novelë” (1970); “Dhjetori i shqetësuar : roman” (1970); “Kaltërsira” (1971); “Dikush më buzëqeshte : novelë” (1972); “Drejt qindra shekujsh shkojmë : poema e vjersha” (1977); “Poezi” (1974); “Shokët: roman” (1977);  “Fatet” (1979);  “Deti në mes : roman” (1986); “Këngë të moçme shqiptare : studime” (1986), ribotuar edhe në vitin 2007; “Fjalë për poezinë: studime dhe artikuj” (1987) apo “Duke dalë prej ëndrrës… : poezi” (1989). Për të vijuar më pas me “Dafina nën shi” (1991); “Ku shkoni ju statuja…  poezi” (1990)”; “Ne, pikëllimi i dritave: poezi” (1993); “Unë vdiqa në brigjet e Jonit” (1993); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (1996); “Ancient Albanian songs: studies”(1996); “In-tenebris… poezi” (1996); “Më vjen keq për Jagon: poezi” (1994); “Gloria victis: poezi” (1997); “Kujtohem që jam” (1997); “Më duhet një gjysmë ëndrre : poezi” (1999); “Kush ishte Vllas Arapi” (2000); “Cipa e dëborës : novela” (2000); “Gjeniu me kokë të prerë” (2000); “Vëllezër hamletë : poezi” (2001); “Antologji personale” (2001); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (2001); “Nuk shitet shpirti në tetor: novela” (2002); “Eklipsi i ëndrës” (2002); “Ah, sikur të isha një përrallë: poezi” (2003); “Në Tiranë kur s’ke ç’të bësh… tregime” (2003); “Shëtitje pa veten: poezi” (2005); “Horrat e ndershëm: tregime” (2007).

Në vitin 2014 është botuar pothuajse e gjithë krijimtaria e tij ndër vite në një përmbledhje poetike në katër vëllime: “Më jepni një emër: poezi të zgjedhura 1962-1989”; “Në kaq pak Tiranë: poezi të zgjedhura 1990-1996”; “Urna e vogël: poezi të zgjedhura 1997-2003” dhe “Një buzëqeshje e pabesueshme: poezi të zgjedhura 2005-2010”. Fatos Arapi është marrë edhe me përkthimin, duke sjellë në gjuhën shqipe “Vuajtjet e Verterit të ri” të J. W. Gëte botuar në Prishtinë, poezinë e Pablo Nerudës, Justo Jorges Padron, nga letërsia maqedonase Ante Popovskin, Mateja Matevski, si dhe “Antologji e poezisë turke e shekullit XX”.