15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes, dita e kujdesit dhe përkushtimit për mbrojtjen dhe fuqizimin e saj

Sipas Kombeve të Bashkuara, 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes. Kjo ditë njihet në botë që nga viti 1993, kur u soll rezoluta për shënimin e Ditës së Familjes. Familja si shtyllë e çdo shoqërie mbrohet nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo ditë simbolizon anembanë botës përkrahjen e vlerave dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Institucionet shtetërore dhe organizata të larmishme e përkujtojnë këtë ditë me programe dhe koncerte të ndryshme.

Familja e shëndoshë është gjeneratori kryesor i një shoqërie të shëndoshë, i një të ardhmeje të sigurt, si dhe njëri prej faktorëve kryesorë i ecurisë normale të shtetit. Për të ekzistuar familja, së pari si nocion, e pastaj si realitet, duhet që patjetër t’i jepet rëndësia e duhur martesës. Fenomeni i martesës, pa më të voglin dyshim, është esenca e familjes dhe shoqërisë, por nuk përjashtohet mundësia se, martesa mund të shërbejë, edhe për shkatërrimin e familjes, duke qenë njëkohësisht në numër të gjithë pjesëtarët që e përbëjnë atë. Në shoqërinë e sotme, divorcet dhe mungesa e harmonisë në familje është bërë një realitet i pamohueshëm. Është e nevojshme të hartohen politika dhe strategji për nxjerrjen e shoqërisë nga ky proces ku është futur. Në Ditën Botërore të Familjes, apeli më i mirë është rritja e vëmendjes ndaj familjes, duke zbatuar një politikë strehimi tepër lehtësuese për familjet e reja, lehtësi në punësimin e tyre si dhe ndihma direkte për shkollimin e fëmijëve për familjet në nevojë. Për të nxjerrë shoqërinë nga problematika e ditëve të sotme, është e nevojshme që familjet në nevojë të trajtohem me lehtësira financiare. Të hapen rrugë dhe perspektiva për to, të reduktohet varfëria, të luftohet krimi, droga, të parandalohen dhe të luftohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme etj.

Familja në shoqërinë bashkëkohore

Në shoqërinë bashkëkohore, për fat të keq, struktura familjare është ligështuar ndjeshëm, sepse i është nënshtruar një sërë sulmesh të karakterit moral, ekonomik etj. Kjo sjell si pasojë kolapsin e lindjeve. Ndërsa numri i lindjeve në Amerikë vijon të jetë i kënaqshëm e në vendet aziatike i bujshëm, në Europë çiftet janë të brishta. Bashkimi ndërmjet tyre zgjat pak, nuk kanë projekte as për veten e aq më pak për brezat e ardhshëm. Prandaj mbizotëron mendimi konsumistik, që ka në qendër të vëmendjes blerjen e shtëpisë, të automobilit etj. E kjo sjell si pasojë kolapsin e strukturave familjare, ligështimin e tyre të mëtejshëm e, natyrisht kolapsin demografik, me pasoja të rënda.

Familja shqiptare në krizë shpirtërore dhe ekonomike!

Në vitet e fundit, koncepti i familjes, por edhe vetë familja shqiptare është duke kaluar një krizë të madhe. Një krizë, e cila ia ka ndryshuar përgjithmonë fytyrën familjes tradicionale shqiptare. E kaluar është familja me gjysh, gjyshe, kushërinj e kushërira. Tashmë familja përgjithësisht përbëhet vetëm nga prindërit dhe fëmijët. Shndërrimi i shoqërisë, nga një shoqëri tradicionale dhe e mbyllur në një shoqëri të hapur kapitaliste, si dhe ndryshimet rrënjësore sociale e ekonomike, krijuan një model të ri të familjes, i cili nuk ngjan pothuajse në asgjë me vite më përpara. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit nga sociologë të ndryshëm, kjo krizë ishte e pritshme dhe e pashmangshme. Nëse ndryshimet e familjes shqiptare do të vazhdojnë me të njëjtat ritme, atëherë roli i familjes si njësi bazë e shoqërisë nuk do të jetë më i tillë.