1400 qytetarë i janë përgjigjur operacionit të Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi për të pastruar dhe pyllëzuar, ballkonin e Shkodrës, Taraboshin

Nëpërmjet nismës “Pastrojmë Shkodrën që Duam”, është bërë e mundur që në bashkëpunim me qytetarë, strukturat qendrore dhe vendore si dhe vullnetarë të Ekomendje e Ecovolis të mbillen 5700 fidanë pishash.

Aksioni për mbjelljen e fidanëve dhe pastrimin e zonës që sjell rijetësimin e një prej zonave më panoramike të Shkodrës, malit të Taraboshit me qëllimin për t’i dhënë më shumë frymë Shkodrës dhe qytetarëve, ka nisur disa ditë më parë.

Ministri Blendi Klosi tha se kjo është një sipërmarrje e shkëlqyer dhe çdo fidan i dhuruar kontribuon për një mjedis të pastër, në radhë të parë për shëndetin tonë dhe për turizmin që Shkodra meriton.

Së bashku më kryetaren e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ministri Klosi u shpreh se operacioni “Pastrojmë Shqipërinë që Duam” po gjen kudo mbështetje dhe nuk ka njeri në opozitë, përveç dembelëve dhe ndotësve të mjedisit.

Ministria, tha ai, po ndjek politika konkrete për pastrimin dhe gjelbërimin e Shqipërisë duke reflektuar revoltën e të gjithë qytetarëve në masa konkrete për zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e të gjithë abuzuesve dhe kriminelëve mjedisorë.

Ministri ndihmoi edhe fëmijët e kopshtit “Bep Tusha” në mbjelljen e pishave dhe përgëzoi punën e të gjitha institucioneve të cilat edukojnë që në vogëli mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe respektit të mjedisit.

“Mjedisi i pastër është një çështje jetike për të gjithë ne dhe nuk njeh opozitë, ndarje përkatësie dhe moshe. Shqipëria do jetë e pastër kur qytetarët të kujdesen për mjedisin. Kjo është nisma JUAJ, dhe më të bukur e më të vërtetë se ju, askush nuk mund ta bëjë! Të gjithë bashkë për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në 2020”, tha ministri gjatë këtij aksioni nga Shkodra.

Grupi i vullnetarëve do vazhdojë me pastrimin e liqenit të Shkodrës, lumenjve Buna dhe Kir përgjatë gjithë fundjavës në vijim./a.gjonaj//m.m/