12 VITE PAS / Deputetët që nënshkruan Pavarësinë, por nuk jetojnë më ose kanë lënë politikën

Kosova dje shënoi 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ashtu edhe si vitet e kaluara edhe këtë vit qytetarët marshuan shesheve për të festuar Ditën e Pavarësisë.

Në këtë shkrim nuk do të merremi as me mënyrën si u festua, sigurisht as me thyerjen e akullit nga kryeministri Albin Kurti që shkoi për herë të parë te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe respektimit të simboleve shtetërore, por me deputetët që 12 vjet më parë nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.

Konkretisht do të mësoni se kush janë deputetët që nuk do ta festojnë 12 vjetorin e Pavarësisë pasi kanë vdekur vite më parë dhe kush janë deputetët që janë larguar qe një kohë nga politika, shkruan Reporteri.net.

Deputetët që nënshkruan pavarësinë dhe sot nuk jetojnë…

Nekibe Kelmendi (LDK) – përveç si deputete, ishte edhe ministre e Drejtësisë. Vdiq në vitin 2011.

Mark Krasniqi (LDK LDD) – akademiku që ju bashkua Nexhat Dacit pas përçarjeve në parti. Vdiq në vitin 2015-të.

Bajram Rexhepi (PDK), ka vdekur në vitin 2017 në moshën 63 vjeçar. Do të mbahet mend si kryeministër, por jo vetëm.

Heset Cakolli (AKR) – ishte nga deputetët me fat që nënshkroi pavarësinë. Ai nuk jeton më pasi vdiq në shtator 2016-tës.

Adem Hajdaraj (LDK) kishte fatin të nënshkroi pavarësinë. Ka disa vite që ka vdekur nga një sëmundje e shkurtër në moshën 70 vjeçare.

Zylfi Mërxha (Grupi 7+) – ishte kryetar i partisë rome dhe vdiq në vitin 2015-të. Ai ka qenë deputetet në tre legjislatura dhe mjaft aktiv edhe pse në moshë.

Deputetët që nuk janë sot aktivë në politikë…

Arsim Bajrami (PDK) – për vite mbajti pozita të larta shtetërore, më shumë si ministër, ku drejtoi Ministrinë e Administratës Publike dhe të Arsimit. Sot nuk është as deputet e as nuk ka pozitë në institucionet shtetërore. Punon si profesor në Universitetin e Prishtinës dhe universitete private.

Adem Grabovci (PDK) – i njohur si “shefi i shefave” për shkak të aferës “Pronto”, ku ishte protagnosit në aferën e përgjimeve. U largua nga politika pikërisht pas këtij skandali për çka aktivisht më nuk merret, por shihet gjithnjë në krahë figurave të larta të PDK-së.

Alush Gashi (LDK) – ka vite që nuk është aktiv në skenën politike. Do të mbahet mend si ministër i Shëndetësisë.

Anita Morina-Saraçi (LDK) – në kohën kur e nënshkroi deklaratën e pavarësinë ishte një deputete e re, por që me kalimin e viteve e la politikën dhe ju përkushtua familjes.

Arsim Rexhepi (LDK) – do kujtohet vetëm si nënshkrues i pavarësisë pasi më nuk vazhdoi të jetë aktiv.

Berim Ramosaj (LDK – LDD) – pas përçarjes së LDK-së, ai kaloi në LDD-në e Nexhat Dacit. Pasi kjo parti u shua, Ramosaj zgjedhi të mos kthehet në politikë, por ju kthye universitetit ku edhe sot jep mësim si profesor në Universitetin e Prishtinës.

Bajram Kosumi (AAK) – ish kryeministër në kohën e qeverisjes AAK-LDK. Nuk është aktiv në politikë, i është rikthyer universitetit dhe qe disa vite mban pozitën dekan i Universitetit “Haxhi Zeka” në Gjilan.

Bujar Bukoshi (LDK) – ka vite që nuk është aktiv në politikë. Pozita e fundit që mbajti ishte në qeverinë Thaçi, ku mori postin e zv.kryeministrit falë “Listës Rugova” të formuar nga Ukë Rugova (djali i Ibrahim Rugovës) dhe Dardan Gashi e Astrit Haraçia.

Bahri Hyseni (PDK) – sot mban pozitën e drejtorit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Berat Luzha (PDK) – më shumë do të kujtohet si nënshkrues i pavarësisë. Ka kohë që s’është aktiv në skenën politike.

Dragisha Miriq – do mbahet mend veç si nënshkrues i pavarësisë.

Drita Kadriu (PDK) – do të kujtohet si nënshkruese e pavarësisë. Në zgjedhjet parlamentare të 2017-tës në listen e koalicionit PDK-AAK-NISMA, garoi për postin e deputetes por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të bëhet sërish deputete.

Drita Maliqi (LDK) – poashtu si disa koleg të tjerë do mbahet mend si nënshkruese e pavarësisë. Ka kohë që nuk merret me politikë.

Driton Tali (PDK – ish-deputet i pavarur) – pas një kohe tërheqje nga politia, u rikthye ku aderoi në Vetëvendosje. Në zgjedhjet e fundit u fut në listë por nuk arriti të bëhet deputet. Ka kohë që jeton në Angli.

Edita Tahiri (PDK) – përveç si nënshkruese e pavarësisë do mbahet mend edhe si kryenegociatore e bisedimeve me Serbinë. Gjatë kohës sa Thaçi udhëhoqi qeverinë vazhdimisht mbajti poste të larta, si atë të Ministres së Administratës Publike.

Elhame Hetemi (PDK) – do mbahet mend si nënshkruese e pavarësisë. Ishte edhe ish-ushtare e UÇK-së.

Emrush Xhemajli – ish deputet në legjislaturën e dytë dhe tretë të Kuvendit. Në vitin 2013 aderoi në Vetëvendosje. Ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit por nuk arriti të bëhet deputet.

Esat Brajshori (AKR) – mbajti postin e deputetin vetëm në mandatin kur u nënshkrua pavarësia. Më pas nuk është se ishte aq aktiv në politikë, por u rehatua si ambasador.

Ethem Çeku (AAK) – përveç si nënshkrues i pavarësisë do mbahet mend edhe si ministër i Minierave dhe Energjisë. Më pas u tërhoq nga politika dhe ju rikthye universitetit, ku sot vazhdon të punojë në atë të Edukimit.

Fatmire Berisha (LDK) – padyshim se fati i saj më i madh mund të jetë nënshkrimi i pavarësisë. Nuk dihet se me ç’mirret ajo pasi ka kohë që s’është aktive.

Gani Buçinca (PDK) – do kujtohet si nënshkrues i pavarësisë, më pas nuk i eci me politikën për çka ka kohë që s’është aktiv.

Gani Geci (LDK – LDD) – përveç si nënshkrues i pavarësisë do kujtohet edhe si një nga protagosnistët e gjuajtjes me karrige në Kuvendin e LDK-së ku kjo parti u nda në dysh.

Gjylnaze Syla (AAK) – do kujtohet si nënshkruese e pavarësisë dhe më pas nuk u mor aktivisht me politik.

Hafize Hajdini (SLS) – poashtu do kujtohet si nënshkruese e pavarësisë.

Hajdin Abazi (PDK) – ishte deputet në legjislaturën 2007-2010 pra kur u nënshkrua pavarësia, për çka do mbahet mend. Aktualisht mban pozitën e ambasadorit në Australi.

Ibrahim Makolli (AKR) – ish sekretar i partisë së Pacollit dhe ish-minsitër i Diasporës. Ai nuk merret aktivisht me politik, ndërsa tani mban postin e kryetarit të delegacionit për persona të zhdukur.

Kolë Berisha (LDK) – Ka vite që s’është aktiv. Do të kujtohet edhe si kryetar i Kuvendit.

Kosara Nikolić – mund të krenohet se ka nënshkruar pavarësinë.

Luljeta Shehu (LDK) – edhe kjo është me fat që ka nënshkruar pavarësinë, nuk është marrë aktivisht me politikë.

Lulzim Zeneli (LDK-LDD) – ish kryetar i forumit rinor të LDK-së që u largua nga kjo parti pas përçarjes që ndodhi dhe ju bashkua krahut të Dacit. Ishte mjaft kritik ndaj qeverisë “Thaçi 1”. Ka kohë që ka lënë politikën.

Myrvete Pantina (LDK) – mund të krenohet se ka nënshkruar pavarësinë, s’merret aktivisht me politikë, të paktën në nivele të larta.

Naim Maloku (AAK) – një ushtarak i dalluar. Pas largimit nga AAK kaloi në AKR por më pas u tërhoq nga politika.

Nexhat Daci – ish-kryetar i LDD-së është larguar nga politika. Së fundmi ka mbajtur pozitën e kreut të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Naim Rrustemi (PDK – ish deputet i pavarur) – përveç si nënshkrues i pavarësisë do mbahet mend edhe si deputet iniciator që dërgoi në Kushtetuese, Fatmir Sejdiun, për mbajtjen e dy posteve si president dhe kryetar i LDK-së, për çka gjykata e rrëzoi nga posti i presidentit.

Nurishahe Hulaj (LDK) – poashtu një deputete që do mbahet mend vetëm pse nënshkroi pavarësinë.

Qamile Morina (LDK) – përveç si nënshkruese e pavarësisë do kujtohet edhe si deputete që la LDK-në për LDD-në e Dacit. Me profesion është mjeke ku vazhdon të punoi.

Ramadan Gashi (PDK) – nuk merret aktivisht me politikë. Është reahatuar si konsull në Belgjikë.

Ramë Manaj (LDK) – ka kohë që ushtron detyrën e drejtorit të Arktivit të Kosovës.

Sabit Rrahmani – një deputet nga komunitetet. Sigurisht një njeri me fat që nënshkroi pavarësinë.

Sadik Idriz – edhe emri i tij do përmendet vetëm si nënshkrues i pavarësisë, nuk ka ndonjë CV të pasur politike.

Sanije Aliaj – nuk vazhdoi të merret me politikë. Emri i saj do kujtohet si nënshkruese e pavarësisë. Sigurisht kjo një e arritur për të.

Synavere Rysha (LDK-LDD) – kur u përça LDK pas vekjes së Rugovës, ajo kaloi në LDD. Më pas u kthye në LDK. Deputete ishte edhe në mandatin e kaluar po jo në aktualin.

Njomza Emini, do të mbahet mendi si deputetja më e re që nënshkroi pavarësinë. Pas kësaj ishte edhe një mandate deputete, por tash nuk merret aktivisht me politikë. Tani drejton Forumin për Lidership dhe Diplomaci që merret me fuqizimin e vajzave dhe grave.