11 skandalet në PS, bashkitë që mbulon zv/kryeministri dalin më shumë vota se votues

Të dielën u mbajtën votimet njëpartiake por kjo nuk frenon socialistët që të vjedhin vota. Këtë e tregoi vetë KQZ-ja, e cila pas mbarimit të procesit votues, tregoi numrin e votuesve. ndërsa sot, teksa janë hapur kutitë e numërues janë të PS-së, shifrat nuk përputhen. Vihet re se në zonat që i mbulon Zv/Kryeministri, Erion Braçe, ka çmenduri shifrash. Më shumë vota sesa votues. Është tragjike komike situata me votimet njëpartiake të 30 qershorit. Deri më tani, ka shkruar në 8-të numri i bashkive që më shumë dalin vota sesa votues.

11 rastet

Rekordin e mban bashkia e Urës Vajgurore ku kanë marrë pjesë në proces 5 900 votues por fituesja Juliana Mema ka marrë 7766 vota.

Gjithashtu në Malësinë e Madhe kanë votuar 7600 votues po në kuti dalin 7772 vota dhe fitues rezulton Tonin Marinaj.

 Divjakë, zonë e cila mbulohet nga zv.kryeministri Erion Braçe rezulton se kanë votuar 13 000 por në kuti janë 13 513 vota.

Edhe në Lushnje, një tjetër bashki që mbulohet nga Braçe votuan 27 243 persona, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare nga KQZ rezultojnë 28 086 vota.

 Memaliaj gjithashtu janë regjistruar 4150 votues por në kuti janë numëruar 4 206 vota.

Në Bashkinë e Vorës kanë marrë pjesë 6120 votues sipas të dhënave zyrtare të publikuara dje në orën 22:00 nga KQZ-ja. Në përfundim të numërimit të kutive të votimit, Agim Kajmaku biznesmeni i luleve ka marrë 6208 vota, ose thënë ndryshe 88 vota më shumë se votues.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së në Himarë kanë marrë pjesë 4165 votues. Në përfundim të numërimit kanë dalë 4,209 vota të hedhura në kutitë e numërimit. Jorgo Goro ka marrë 44 vota më shumë se votues.

Në Bashkinë e Vaut të Dejës, sipas rezultatit të KQZ-së, kanë votuar 5166 qytetarë, ndërkohë që fituesi i kësaj bashkie është shpallur me 6223, pra 1067 vota më tepër. Ditën e djeshme janë bërë denoncime të shumta në lidhje me blerje apo shtim votash më tepër se sa pjesëmarrja reale në këto votime.

Në Gramsh janë gjetur 129 vota më shumë se sa qytetarë kanë votuar. Në këtë bashki ka një specifikë, pasi votat janë ndarë mes kandidatit të PS-së, Klodian Taçe dhe Sabri Ibrahimi i Bindjes.

Në Selenisë në kuti janë gjetur 6293 vota. Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në zgjedhje në këtë bashki kanë votuar 6200 qytetarë. Në këtë bashki janë gjetur 93 vota më shumë se votues.

Edhe në Bulqizë, kanë konkurruar dy kandidatë, Lefter Alla nga PS dhe Ilir Balla nga Bindja e Patozit. Lefter Alla i PS-së ka marrë 7529 vota, ndërsa kandidati i Bindjes 543 vota. Të dy bashkë kanë marrë 8072 vota, ose thënë ndryshe 572 vota më shumë se sa kanë votuar qytetarët, shifër që është 7500.

Koha Jone