11 Shtatori 2001, terrori që sulmoi tempullin e demokracisë, “therori” që transformoi botën

Nga Albert Vataj

Përkujtimi i ngjarjeve të përmasave apokaliptike, siç ishte ajo e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, më shumë se një përshpirtje për viktimat e kësaj gjëme, është një ndërmendje për të tashmen, për themelet ku kemi ndërtuar ëndrrat tona, ardhmërinë e fëmijëve tanë. E shkuara është një memuar në vetëdijen e njerëzimit, një makth tmerrndjellës, që na prish gjumin e na shkërmoq dëshirimet. Ndërsa përpiqesh të bashkosh copëzat e asaj dite tmerri të 14 viteve të shkuara, rrekesh në atë orvatje të të pamundurës; të rijetosh ato momente ngjethëse, të ngopesh me frymë nën peshën e rëndë të asaj shastisjeje edhe pse gufimi i atij zjarri është bërë gjaku i kohës, ritmi dhe filozofia e së tashmes. Sot pas kaq vitesh, pas ngulmit për të davaritur kujtimin e asaj ngjarjeje, sërish rropatesh shpresëhumbur të bësh diçka, qoftë edhe të rilindësh si një feniks, ndërsa mes kujtimesh të vagullta përpiqesh të hedhësh hapin në hirin ngjyrë kafe të trupave të djegur. Drithëron e fryma të merret, ndërsa të duhet që në këto përjetime, të thithësh taftin kudërbues të vdekjes, i cili fluturonte mes tymit që shkulmonte prej rrënojave dhe pluhurit që mbante të ngërthyer në një argamedon atëkohjen mbamendëse të ferrit. Përpiqesh të lësh në të shkuarën atë që e tashmja nuk nguron të ta kujtojë pambarimisht dhe ta jetojë në çdo hap.

Bota nuk është më si 17 vjet më parë. SHBA-të nuk mund të jenë siç ata dëshiruan, siç ata ndërtuan të tashmen e tyre të ëndshme për sekënd në botë. Ata u goditën pikërisht aty ku nuk e prisnin, u gjunjëzuan, ndoshta për të besuar se mitet e paprekshmërisë rrëzohen një ditë dhe bashkë me të shembet parajsa toksore.

Më 11 shtator 2001 bota u përball me një ngjarje më kulmore të historisë së saj moderne. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen objekt i sulmeve terroriste më vdekataret që përballej deri asokohe ky gardian i lirisë dhe demokracisë. Plot 2996 njerëzve përfshi 246 pasagjerët e katër avionëve, 19 pengmarrësit, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë, gjetën vdekjen. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.

Civilizimi modern, e sotmja që pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, ka ndryshuar. 17 vite janë të mjaftueshme për ta dëshmuar këtë. Asgjë nuk është si më parë. Gjithçka në perëndimin e ëndërruar nga të gjithë ka ndryshuar në themel. Frika, droja dhe pengimi janë tashmë vetëdija e kohës ku jetojmë. Njeriu modern e ka humbur aftësinë e sundimit të parajsës së premtuar, të cilën ai e ndërtoi me kaq pasion e përkushtim, me kast për të besuar se ajo mund të ishte kaq e prekshme sa ishte e dëshiruar.

E shkuara cyt përfytyrimet më të përbindshme të frikës. E sotmja, pa mundur të nxjerrë dhe aq mësime nga pësimet e së shkuares, fatalisht vazhdon ta shtrojë me kafka rrugën e bashkëjetesës dhe afrinë në përplasjen mes qytetërimeve. Me vdekje dhe varre po lëron lavrat e përtëritjes së botës njeriu modern, ky njeri që rreket çdo ditë të përmirësojë jetën e tij, duke i besuar rrejshëm se gjithçka është e mundshme nëpërmjet parasë dhe teknologjisë. Paqja dhe siguria dhanë shpirt përnjëherash me 2996 jetët që u bënë “theror” për transformimin e botës, për ndryshimet e ngulmëta të saj. Sulmet terroriste të 11 Shtatorit bënë fli jetën e njerëzve të pafajshëm dhe e gremisi të sotmen e Amerikës dhe botës së qytetëruar në një spirale paniku dhe paranoje. Askush nuk beson më tek askush. Kudo je i survejuar dhe i përndjekur nga frika. Çdo avion që merret peng është një çelës që hap portën e ferrit, është një tmerr që kërkon me ngulm të vrasë paqen dhe të kërcënojë jetën e njeriut, është një tjetër hap apokaliptik i njeriut në të pamundurën për të jetuar në një botë të të gjithëve. Gjithqysh, 11 Shtatori është një vragë në tru të njerëzisë, një e pamundur për t’u shpërbërë prej harresës.

Çdo ferr tjetër faqe kësaj toke, veç 11 Shtatorit 2001 që kaploi Nju Jorkun, është thjeshtë një përfytyrim që e mban tmerrin në periferi dhe kurrë një panoramim i ditës së territ që na trand pambarimisht. Ata që e panë dhe e përjetuan këtë ngjarje apokaliptike, nuk kanë aftësi të përshkruajnë dhe ta rijetojnë në përmasat e saj të njëmendta, sikundër edhe ta shuajnë. Sulmi terrorist, i projektuar dhe i zbatuar mbi kullat binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit në Nju Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington, i ngjante më shumë një mirazhi fantashkencor sesa një ngjarjeje të vërtetë. Edhe sot pas 14 viteve ka ndër ne që vazhdojnë të mos e besojnë atë që ka ndodhur. As fantazia më e ndezur nuk mund të parashikonte një dhunim kaq brutal e kaq të pamëshirshëm të një prej krenarive të civilizimit modern, vendit që ka shkruar faqet më të rëndësishme të paqes dhe demokracisë moderne. 11 Shtatori 2001 ishte dhe mbeti një ngjarje kulmore e historisë së SHBA-ve dhe mbarë njerëzimin, ngjarje që lëkundi nga themelet ekuilibret botërore, ndryshoi botën duke e hedhur atë vrullshëm në një erë të re.

Sot shoqëria njerëzore përballet përnga e pamundura, në ngulmin për të nxjerr mësime nga pësimet, për të flakur tej si një ëndërr të keqe këtë apokalips. Ajo jeton çdo ditë me këtë fatalitet, me bashkëjetesën e

Minutat e ngjarjes që tronditën botën

Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përlplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.

Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.

Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.

Ora 9:37 e mengjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Washingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.

Ora 10:05 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendres Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e New Yorkut.

Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin Pensylvania.

Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.

Ora 10:28 e mëngjesit , Kulla veriore e Qendres Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famhsme binjake të New Yorkut,nuk janë më.

Ora10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.

Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numer fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjestarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendres Botërore të Tregtisë.