11 mars e vitit 1948, 71 vite nga krismat e kobshem në Zallin e Kirit ku mbetën të vranë 3 klerikë dhe 12 besimtarë katolik

Nga Albert Vataj

Sot 71 vite më parë, më 11 mars 1948 qyteti Shkodrës do të zgjohej nga të shtënat kobzeza të armëve, krisma që vinin nga Zalli i Kirit, të cilin regjimi komunist e kishte shndërruar në një vend ekzekutimi.

11 mars e vitit 1948 shkodranët u tmerruan nga lajmi që erdhi pas krismave të Zallit të Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin e për Shqipërinë, Imzot Frano Gjini, Atë Mati Prendushi e Atë Çiprjan Nika, Monsinjor Nikollë Deda bashkë me 12 besimtarë katolikë.

E si mund ta fillonte erën e re të Shqipërisë komunizmi përveçse të shtypte me zjarr e me hekur, të mbillte panik dhe terror, të shuante çdo shkulm dhe flakadan lirie me mjetet më mizore të nënshtrimit. Ai e nisi me njerëzit e Zotit. Duke vënë dorë mbi Zotin, komunizmi do të shkallmonte besimin që mbahej tek forcat e hyjshme, tek vullnetet e shëlbyera, tek paprekshmëria absolute. Duke i shpallur martirët armiq ai do të çante më lehtë këtë masë homogjene që mbante të lidhur njerëzit, besimtarët me fenë, për ta patur më të lehtë të instalonte tiraninë.

Kush ishin ata:

Monsinjor Nikollë Deda lindi në Shkodër më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës Saveriane, të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 1917: Shërbeu në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor meshtarak, iu dha titulli Monsinjor.

U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: “Mos harro se dikur kam pasë kenë Dom Nikollë Deda”.

E gjykuan me akuzat e zakonshme në një gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 mars 1948.

Atë Mati Prendushi lindi në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane; të lartat, në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo’Lulit, në sa ky shpaloste në majë të Deçiqit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të vet. Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin. Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal i fretënve.

U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë radhë nga bashatdhetarët e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.

Atë Çiprjan Nika lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, të lartat – në Austri. U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve; nga viti 1943 deri më 1936 – guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua më 1946 me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi, histori që është shtjelluar gjërë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm në këtë skenë kulmore të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin “Dera e Thyeme”.

U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948.

Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim.

Imzot Frano Gjini lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjën Saveriane, vijoi studimet në Universitetin Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës. Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet më vonë – Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zevendës-delegat apostolik. Ishte e para herë që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë.

U arrestua në tetor 1946 me akuzën “agjent i Vatikanit” së cilës s’munguan t’i shtoheshin edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari.Por atij, si zevendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtënt, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit: “Rrnoftë Krishti mbret! Rrnoftë Shqipnia, edhe pa ne!”.