10-vjetori i vdekjes/ Serafin Fanko, shkodrani sharmant i skenës së teatrit dhe kinemasë shqiptare

Nga Albert Vataj

Tradita e teatrit shqiptar në tërësi, ai shkodran në veçanti, me aktin krijues dhe mëtues të aktorit dhe regjisorit, Serafin Fanko, sharmantit të skenës dhe njeriut të përkorë, e kanë ngjitur më lart atributin e kësaj vlere, e kanë legjitimuar të drejtën e krenarisë dhe mburrjes sonë nacionale me këtë thesar të shprehjes estetike.

Serafin Fanko ishte ndoshta ndër vetanakët që ngulmoi në lëvrimin e traditës, në shembëllimin e së përsosurës tek vlerat kombëtare shqiptare. Në panteonin e mirënjohjes, padyshim një vend të rëndësishëm mbetet për Serafin Fankon. Ai ishte një prej ngadhënjimtarëve të teatrit shqip, atij teatri që ai kontribuoi që prej fillesave deri në të mbramë të frymës për traditën tonë të vyer dhe pasunare në tematikë dhe lëndë, vlerës me të cilën duhet të mburremi. Rrugëtimin e tij 44-vjeçar në shumëplanin si kontributor, e çel me “Fisheku në pajë” një nga kryeveprat e Fadil Krajës, për ta sosur me “Babai” të Ruzhdi Pulahës, në vitin 2006, një vit para se të ndahej nga jeta.

Serafin Fanko u lind më 24 maj 1937. Në kujtesën e gjeneratave dhe në detyresën për mirënjohje ai ishte dhe mbeti zelltar dhe i përkushtuar si; aktor, regjisor, skenograf dhe kostumograf, një prej ikonave të teatrit “Migjeni”, kësaj magje ku u gatuan përvoja dhe personazhe, tipa dhe karaktere, ku erdhën në jetë kryevepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Serafin Fanko ishte padyshim një personalitet i rëndësishëm, pjesë e pashlyer e memories artistike të skenës së teatrit dhe kinematografisë gjithashtu.

Me ç’nuk i mbushi 70 vitet e tij të jetës, të përplota me vitalitet dhe larmi, deri më 29 shtator 2007, kur zemra e tij do të ndalte, duke mos mundur ta ndalë vërshimin dhe shkëlqimin e famës që e ngjizi me pasion dhe përkushtim në galerinë e pasur që la, me 13 filma, personazh i parë dhe i dytë, me 46 interpretime në teatër dhe 150 premiera si regjisor, në të gjitha zhanret, si dramë, teatri poetik, opera, komedi, operetë, estradë.

Origjina e shkodranit të teatrit

Ai ka lindur dhe është rritur në qytetin e Shkodrës, qytet të cilit i ndenji besnik, anipse Tirana iu ngas si mundësi dhe destinacion. Në moshë fare të njomë ai humbi prindërit, duke mbetur jetim. Mirërritja e tij asokohe do t’i besohej jetimores së qytetit verior. Një detaj ky jo shumë i njohur, por një tharm që ka ngjizur momente dhe rrethana të Serafin Fankos si artist dhe si qytetar, më së shumti si artist. Një tjetër domethënie merr dhe shqiptarizma që skalit përmendoren e tij të famës. Mësohet se gjyshi i Fankos, quhej Stefan dhe ishte nga fshati Bual i Përmetit, ish-avokat në kohën e Pavarësisë, dy herë kryetar i bashkisë për Përmetin në dy legjislatura, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Kongresit të Lushnjës. Kurse Nikolla, i ati i Serafinit, ishte oficer në kohën e Zogut. Është gjithashtu dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve. Nëna e Serafinit ka lindur në Manastir të Maqedonisë, ajo studioi në Rumani ekonomikun dhe është vajza e tezes e artistit të madh, Sandër Prosit. E pra, kjo trashëgimi e kësaj familje intelektualeje i ka degët e rrënjëve të saj me vlera kombëtare, sepse vetë artisti është një vlerë e artit shqiptar, e traditës.

Mishëruesi i dramës kombëtare

Prejardhja nga një familje patriotike përmetare duket se e ka ushqyer qëmtesën e tij të vazhdueshme për të luajtur dhe për të vënë në skenë materiale kryesisht shqip. Së këndejmi, në një prononcim për median, Fanko mbamendet të jetë shprehur: “Gjithë repertorin tim në një farë mënyre është drama kombëtare. Shumë pak janë pjesë të huaja. Ndoshta në dramën kombëtare kam gjetur edhe vlerat. Unë nuk i jam shkëputur tabanit dhe jam përpjekur që përmes mesazheve që sjell vetë drama, të jap edhe mesazhet e mia si qytetar, mesazhe që shkojnë drejt ruajtjes së vlerave kombëtare. Është një thirrje që i bën autori spektatorit dhe kohës për të përballuar dhe zgjidhur një problem, për të ruajtur vlerat e mirëfillta që kemi trashëguar, si edhe për t’i çuar më tej ato. Ndoshta më tepër këtu mund të gjendet ajo që kam bërë diçka, kam thënë diçka, sigurisht një fjalë e vogël, sepse janë shumë njerëz të artit, që kanë folur me zë të bukur dhe kanë hedhur mendime të qarta. Unë jam një ndër ata që e plotësoj këtë thënie.

Në përçapjen për të hedhur dritë mbi rrugëtimin e tij, më mirë se nëpërmjet fjalëve të tij, kurrsesi nuk mund të vijnë ndryshe të vërtetat: “Para se të filloja Liceun Artistik, kam punuar në gjashtë profesione. Kam qenë ndihmës-magazinier, shkruajtës në Uzinën e Fermentimit të Duhanit në Shkodër, instruktor valleje në Shtëpinë e Oficerëve, valltar i Ansamblit të Shkodrës, instruktor valleje në Klubin e Rinisë, ku drejtor në atë kohë ishte Fadil Kraja. Gjatë kësaj periudhe unë kam frekuentuar kursin e pikturës me piktorë mjaft të talentuar dhe të dëgjuar të Shkodrës dhe për gjashtë vjet kam studiuar piano. Këto nuk më kanë bërë muzikant, por më kanë bërë të njoh muzikën dhe muzikantët e mëdhenj. Kurset që kam ndjekur më kanë ndihmuar duke e mbështetur me shumë baza punën time si regjisor”.

Ai është dalluar në karrierën e tij artistike, si një aktor karakteri dhe tepër potent në interpretimin e tij. Janë të shumta dramat që Serafin Fanko ka vënë si regjisor në skenën shqiptare, disa prej të cilave edhe të nderuara me çmime. Krejtçka iu desh për të ngritur përmendoren e pavdekësisë, ai e sendërtoi në Shkodër, aty ku jetoi dhe u madhua nga duartrokitjet dhe mirënjohja.

Në larminë e veprimtarisë së tij artistike, Serafin Fanko është një barometër vlerësimesh dhe konstatimesh, ai ishte dhe mbetet një përcaktues i së vërtetës në gjithë ato dilema, me të cilat po përballet arti shqiptar në përgjithësi, teatri në veçanti. Ai ishte i mendimit se: “Çdo komb mburret me vlerat e tij. Për mua kjo është më e rëndësishmja. Nuk është e nevojshme që të bëhemi skllevër të vlerave të huaja. Unë nuk mund të mohoj Shekspirin, Molierin, Pirandelon e mjaft të tjerë, ata ekzistojnë dhe kanë vlera botërore. Për një teatër që i vendos në skenë këto vepra është nder, por çdo komb duhet të mburret me vlerat e tij”.

Rruga e gjatë e famës

Dramaturgu i njohur, Stefan Çapaliku, duke e cilësuar Fankon një njohës shumë të mirë të teatrit përmend si pjesë model vënë në skenë nga ai, dramat “Hetimi” në fund të viteve ’80-të, një dramë që e cilësoi si “pjesa e parë në Shqipëri Ala Breht”; “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, një dramatizim i tij; “Makbethin”, një pjesë e mrekullueshme e realizuar me art nga aktorët e mirënjohur Tinka Kurti dhe Ndrek Luca. “Ai ishte një njeri me dimensione humane dhe sociale”, përfundon Çapaliku. Ndërsa, Adonis Filipi, regjisor, u shpreh se “Fanko ishte një regjisor me vokacion dhe regjisor tipik i frymës poetike”. Serafin Fanko ishte një ndër figurat më aktive të Teatrit “Migjeni”. Sepse siç cilësuan kolegë të tij, ai ishte jo vetëm regjisor, por edhe një skenograf i mrekullueshëm e po ashtu, edhe një njohës shumë i mirë i muzikës. I dalluar për një modesti të skajshme, Serafin Fanko është shprehur disa herë se suksesi i tij qëndronte në bashkëpunimin e qëndrueshëm me njerëz të skenës dhe të artit. “Kam punuar me mjeshtra të mëdhenj të dramaturgjisë dhe në Teatrin “Migjeni”, jam mbështetur në aktorë të njohur si Tinka Kurti dhe Ndrek Prela, Prel Lëkunda dhe Adem Kastrati, Bep Shiroka etj. Por unë jam munduar të punoj edhe me të rinjtë, ndërkohë që të vjetrit i kisha në krah”, ishte shprehur një herë artisti i njohur. Por, Fanko ka thënë gjithashtu se “nëse kam një pëllëmbë vlerë, këtë e kam në sajë të bashkëpunimit me artistë, dramaturgë, regjisorë dhe piktorë, duke përmendur, Fadil Krajën dhe Agim Zajmin. Janë të njohur nga të gjithë dramat e vëna në skenë, nga ai si regjisor si “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Çmurrosja”, “Quo Vadis”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Rozafa”, “Pse”, “Çifti i Lumtur” dhe të tjera.

Mirënjohja

Serafin Fanko është vlerësuar me 21 çmime e tituj, por asnjëherë nuk është ndjerë i ngopur me vlerësimet që i kanë bërë. Në karrierën time, thoshte ai, jam nderuar me çmimet: “Artist i Popullit” dhe “Artist i Merituar”. Kam marrë 5 çmime radhazi “Aleksandër Moisiu”. Mbaj titullin “Simbol i Vlerave Humane”, i cili më është dhënë nga UÇK-ja dhe ky për mua është një vlerësim i veçantë, pa harruar “Çmimi i Mirënjohjes”. Në një karrierë kaq të gjatë sa kjo e imja, çmimet të shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Ato janë një vlerësim për punën dhe një stimul për të ecur përpara me guxim më të madh tek vetvetja. Por çmimi më i madh janë duartrokitjet e dashamirëve të teatrit. Një sallë e mbushur plot, do të thotë respekt dhe vlerësim prej zemre”, përfundon ai.

Teatri dhe Shkodra, do t’i jenë përjetë mirënjohës këtij personazhi të jashtëzakonshëm, këtij ngadhnjimtari të mishërimit të teatrit shqip si vlerë e krenarisë kombëtare.